“Libri i luftës” promovohet edhe në Kopër të Sllovenisë
kulture
“Libri i luftës” promovohet edhe në Kopër të Sllovenisë

“Libri i luftës” promovohet edhe në Kopër të Sllovenisë

Autori i “Librit të luftës” Nuhi Bytyçi merr mirënjohje nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Slloveni

Në Kopër, në organizim të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Slloveni dhe të Shoqatës Kulturore “Iliria”, u bë promovimi i “Librit të luftës” të autorit, gazetarit dhe publicistit Nuhi Bytyçi.

Në këtë eveniment, përveç autorit, morën pjesë edhe ambasadorët e Republikës së Kosovës e të Shqipërisë në Slloveni, zotërinjtë Avni Kastrati e Pëllumb Qazimi me bashkëpunëtorë: Arbnore Avdylaj, Drilon Zogaj e Ilir Gashi, veprimtari i shquar profesor Martin Berishaj, përfaqësues të shoqatave shqiptare në Slloveni e Trieshtë, si dhe shumë mërgimtarë që jetojnë e punojnë në Slloveni. Promovimi u hap me xhirimet dokumentare nga ngjarjet më të rëndësishme historike, nga të cilat ka raportuar Nuhi Bytyçi. Ato krijuan emocione te pjesëmarrësit.

Në fjalën e hapjes me rastin e promovimit të “Librit të luftës” Kryetari i Shoqatës kulturore Shqiptare “Iliria” në Kopër, z. Heset Ahmeti e përgëzoi autorin për këtë vepër me vlera shumëdimensionale. Ai falënderoi Bytyçin që u përcaktua që në bashkëpunim me Ambasadën e Kosovës në Slloveni dhe me Shoqatën “Iliria” me librin e tij të paraqitet në mesin e bashkëkombëseve tanë në Kopër.

Në fjalën përshëndetëse Ambasadori i Republikës së Kosovës në Slloveni, Avni Kastrati, e vlerësoi “Librin e luftës” si vepër monumentale të Nuhi Bytyçit, nga se, si tha ai, aty janë përfshirë ngjarjet historike të popullit shqiptar të Kosovës dhe përjetimet e rrëfimet autentike të autorit. Kastrati pohoi se libri është botuar dhe po promovohet pikërisht në momentin, kur Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka kërkuar nga shtetet mike të Kosovës që ta miratojnë rezolutën për dënimin e gjenocidit të regjimit serb mbi shqiptarët gjatë luftës në Kosovë. Ai e përgëzoi Nuhi Bytyçin për një vepër të jashtëzakonshme për Kosovën dhe historinë tonë më të re kombëtare dhe sugjeroi që në bashkëpunim me institucionet e Republikës së Kosovës “Libri i luftës” të botohet edhe në gjuhët e huaja.

Edhe ambasadori i Shqipërisë në Slloveni, Zotëri Pëllumb Qazimi, shprehu konsideratat më të larta për punën profesionale të gazetarit Nuhi Bytyçi, sidomos gjatë periudhës së luftës në Kosovë, duke e senzibilizuar jo vetëm opinionin kombëtar, por edhe atë ndërkombëtar. Përmes Bytyçit dhe kolegëve të tij, lufta e UÇK-së u prezantua drejt edhe në botë dhe kështu u ndërkombëtarizua fuqishëm edhe çështja e Kosovës, ushtarakisht intervenoi edhe NATO dhe Kosova u çlirua përfundimisht.

Ndërkaq, profesor Martin Berishaj, “Librin e luftës” e çmoi si kontribut të jashtëzakonshëm, jo vetëm gazetaresk e publicistik, por edhe me vlera historike, duke prezantuar sakrificën e madhe të popullit tonë, sidomos luftën e UÇK-së dhe realizimin e ëndrrës shumëshekullore për liri e pavarësi. Edhe Berishaj u angazhua që të gjenden mundësi për botimin e këtij libri edhe në gjuhë të huaja.

Duke i bërë një prezantim punës së gazetarit e publicistit Nuhi Bytyçi gjatë periudhës së kaluar më se 40 vjeçare, ish-luftëtarja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, publicistja dhe veprimtarja zonja Leonora Buçinca, përmendi raportimet profesionale të tij përherë në shërbim të publikut nga ngjarjet historike nëpër të cilat kaloi Kosova dhe shqiptarët.

Ajo vlerësoi lart stilin dhe përmbajtjen objektive, origjinale e të pakontestueshme të Nuhi Bytyçit në këtë libër, i cili dëshmon shpirtin e një gazetari të përmasave të rralla, duke pasqyruar luftën e tij vetëm për të vërtetën.

Një pjesë e promovimit në Kopër ishte shumë interesant, nga se Leonora Buçinca, e cila e kishte siguruar dhe lexuar e para “Librin e luftës” dhe i kishte lënë përshtypje të posaçme mënyra origjinale e prezantimit të ngjarjeve, sidomos të periudhës së luftës në Kosovë. Ajo konfirmoi se autorin e librit e kishte takuar në Kleçkë, Llapushnik dhe në vijat e para të frontit.

Buçinca i shtroi autorit një varg pyetjesh konkrete lidhur me përmbajtjen e “Librit të luftës” dhe përkushtimin profesional të autorit.

Përgjigjet e Bytyçit ishin shumë të drejtpërdrejta dhe të sinqerta: “Unë e kam kryer obligimin tim profesional dhe atdhetar, kam raportuar objektivisht për luftën e drejtë të UÇK-së. Me gjithë rreziqet e mëdha nga policia dhe ushtria pushtuese serbe, nuk jam frikësuar dhe kam qenë optimist se do ta fitojmë lirinë. Më kanë mbështetur luftëtarët e lirisë dhe populli. Mirënjohja më e çmueshme për mua është liria dhe pavarësia e Kosovës,” u shpreh Nuhi Bytyçi.

Populli ynë përherë ka qenë në luftë! Në luftë për liri, për pavarësi, në luftë për mbijetesë, në luftë për dinjitet kombëtar. Ndërsa, unë si gazetar me shumë kolegë të mi, kemi qenë përherë në luftë për informim, për thyerjen e censurës në media dhe për të plasuar të vërtetën për Kosovën dhe shqiptarët, në luftë për të informuar për sakrificën e popullit tonë në Kosovë, në Shqipëri, në Kosovën lindore, në Maqedoni, Mal të Zi, në diasporë.

Në librin im autobiografik, jam përpjekur që ta paraqes në mënyrë të argumentuar dramën e popullit tonë gjatë më se 4 dekadave të fundit dhe rolin e një gazetari në rrethana të jashtëzakonshme, sidomos në rrethana okupimi për ta plasuar para opinionit të gjerë lajmin, edhe atëherë kur përballesh drejtpërdrejtë me policët serbë, edhe atëherë kur nuk ke qeveri e kushte për punë, edhe atëherë kur më afër është vdekja se jeta”, ka thesuar Nuhi Bytyçi.

“Lufta i ka nxjerr heronjtë e vet, heronjtë e lirisë, heronjtë e pavarësisë, heronjtë e së ardhmes. Në këtë luftë, roli i diasporës shqiptare dhe i shtetit shqiptar ka qenë tejet i jashtëzakonshëm. Mirëpo, nuk duhet harruar as mbështetjen e miqve tanë ndërkombëtarë, sidomos SHBA-ve, Sllovenisë, Kroacisë, Gjermanisë, Zvicrës, Austrisë dhe të vendeve tjera mike, të cilat mbështetën intervenimi ushtarak të NATO-s, duke ndëshkuar regjimin militarist të Millosheviqit dhe hapur rrugën lirisë sonë”, ka thënë ai.

Pjesëmarrësit e promovimit në Kopër, Qerim Elshani, Besnik Bytyçi e të tjerë, i shtruan edhe një varg pyetjesh autorit të librit, i cili ishte shumë modest dhe shprehej: “Unë bashkë me kolegët e mi, Migjen Kelmendin, Abaz Zekën, Sadik Shabanin, Ekran dhe Ergyn Dobërçanin, kolegët e TVSH-së dhe të mediave botërore BBC, CNN e të tjera, jemi mundua që ta kryejmë obligimin tonë profesional dhe është opinioni, janë shikuesit, dëgjuesit dhe lexuesit, ata më kompetentët me e vlerësuar atë.”

Me këtë rast, Ambasada e Republikës së Kosovës në Slloveni, e dekoroi Nuhi Bytyçin me mirënjohjen e veçantë dhe të parë të këtij lloji “për kontributin e tij të dhënë përmes gazetarisë dhe publicistikës në evidentimin dhe afirmimin e fakteve historike në kuadër të përpjekjeve të popullit të Kosovës dhe të diasporës shqiptare për liri dhe pavarësi”. Mirënjohjen e firmosur nga Ambasadori Avni Kastrati, Bytyçit iu dorëzua nga Arbnore Avdylaj, Zyrtarja konsullore në Ambasadën e Kosovës në Slloveni.

Në pjesën përfundimtare të promovimit, Dino Murtezani, enkas për pjesëmarrësit u paraqit me një pikë artistike kushtuar komandantit legjendar të UÇK-së Adem Jashari “Çou Adem” dhe u mirëprit me ovacione.

Organizimi i promovimit të “Librit të luftës” të Nuhi Bytyçit, ishte vërtetë në nivel të lartë, përmbajtësor, shumë dinjitoz dhe për këtë merita kanë organizatorët: Ambasada e Republikës së Kosovën në Slloveni dhe Shoqata kulturore shqiptare “Iliria” në Kopër, si dhe pjesëmarrësit e tij.

Kështu përfundoi faza e parë e promovimit të “Librit të luftës” në Zvicër, Austri dhe Slloveni, ndërsa faza e dytë e promovimit në vendet tjera evropiane do të bëhet në fund të këtij muaji dhe në fillim të muajit të ardhshëm.

© ZHURNAL 06.05.2019, 10:59 | L.E. | 779 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.al, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."