SHBA e BE ftojnë për dialog midis opozitës dhe qeverisë
shqiperia
SHBA e BE ftojnë për dialog midis opozitës dhe qeverisë

SHBA e BE ftojnë për dialog midis opozitës dhe qeverisë

Tiranë, 13 Maj, Zhurnal.mk - Ambasada e SHBA-ve dhe ajo e Italisë në Tiranë si dhe deputetë të parlamentit evropian sot kanë ftuar për ulje tensionesh në Shqipëri e në të njëjtën kohë edhe për zgjedhjen e krizës në vend përmes dialogut.

Në një komunikatë për mjetet e informimit, ambasada amerikane tha se përkundër të së drejtës për të protestuar « forca dhe dhuna nuk kanë vend në një proces demokratik».

« Ne dënojmë dhunën e pranishme gjatë protestave të 11 majit në Tiranë dhe përgjegjësit e saj. Dhuna çoi në lëndime dhe dëmtime të pronës, përfshirë edhe dëmtim të vendbanimit së Ambasadorit të OSBE-së. Këto veprime të dhunshme ishin të paligjshme dhe jodemokratike,” thuhet në komunikatë.

Më tutje ambasada e SHBA-ve iu ka bërë ftesë udhëheqësve të opozitës, veçanërisht kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi “që të dënojnë publikisht veprimet e dhunshme të mbështetësve të tyre, të bashkëpunojnë me çdo hetim që synon të identifikojë çdo person që i kreu ato dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë, si dhe të sigurojnë që të gjitha protestat e ardhshme publike të jenë të qeta dhe paqësore”, përcjell Zhurnal.mk.

“Edhe autoritetet ligj-zbatuese kanë përgjegjësi për të vepruar me vetëpërmbajtje, përfshirë edhe rastet kur iu përgjigjen provokimeve,” thuhet në komunikatë me rastin e protestave të dhunshme të së shtunës të organizuara nga PD dhe LSI.

“Protestat e dhunshme po i dëmtojnë përpjekjet e Shqipërisë për reforma demokratike dhe perspektivën e vendit për të bërë përpara në rrugën drejt Bashkimit Evropian,” thuhet më tutje në komunikatë.

“Shtetet e Bashkuara nxisin të gjitha palët që të zmbrapsen nga përplasjet dhe të përfshihen në një dialog konstruktiv, që synon t’i japë fund ngërçit politik,” përmbyllet komunikata e ambasadës.

Një komunikatë pothuajse të ngjashme ka bërë edhe ambasada e Italisë.

“E drejta për të protestuar është tipar thelbësor i një demokracie të shëndetshme, por protestat duhet të mbeten paqësore. Gjatë protestës së dhunshme të 11 majit pati të lënduar në radhët e policisë dhe protestuesve, si dhe u dëmtuan disa godina publike. Ambasada italiane në Tiranë u bën thirrje udhëheqësve të opozitës që të dënojnë dhunën dhe që të garantojnë që protestat e ardhshme të jenë paqësore dhe të qëndrojnë brenda kornizave ligjore. I kërkon gjithashtu forcave të rendi të tregojnë vetëpërmbajtje. Ambasada e Italisë dënon pa rezerve kanosjet ndaj kryetari të prezencës së OSBE-së në Shqipëri. Veprime të papranueshme në një demokraci,” thuhet në komunikatë, përcjell Zhurnal.mk.

Së fundmi, ambasada italiane “u kërkon të gjitha palëve të fillojnë dialogun si mënyra e vetme për të zgjidhur krizën aktuale politike dhe për të mbështetur rrugën e integrimit evropian të Shqipërisë”

Edhe deputetët e parlamentit evropian Knut Fleckenstein dhe Eduard Kukan kanë shprehur shqetësimet për protestën e dhunshme të së shtunës dhe kanë ftuar për ulje të tensioneve midis opozitës dhe qeverisë.

Ata në një komunikatë të përbashkët kanë ftuar opozitën dhe qeverinë që të heqin dorë “nga të gjitha format e dhunës dhe të qëndrojnë larg nga këso lloj ngjarjeve të dhunshme”.

Fleckenstein dhe Kukan kanë ftuar “të gjithë krerët politik që të tregojnë përgjegjësi dhe frenim”.

“Si anëtarë të parlamentit evropian, ne nuk synojmë që të ndërhyjmë me demonstratat. Ne thjeshtë duam që të përkujtojmë se vetëm institucionet dhe proceset demokratike, dialogu parlamentar, procedurat legale, zgjedhjet e lira dhe korrekte mund t’i zgjidhin në mënyrë legjitime sfidat serioze me të cilat po përballet shoqëria shqiptare, » thanë parlamentarët evropian në komunikatën e përbashkët.

“Puna jonë si deputetë të Parlamentit Evropian është të inkurajojmë përparimin e bërë nga Shqipëria dhe të mbështesim vendin në rrugën e tij drejt integrimit evropian. Në kuadër të kësaj, ne ndiejmë nevojën për t'ju drejtohemi juve, qytetarëve shqiptarë sot. Në të njëjtën kohë, ne vazhdojmë t'u bëjmë thirrje të gjithë liderëve politikë që të mos rrezikojnë perspektivat e vendit në rrugën evropiane. Prandaj, ne llogarisim në ju, qytetarët dhe shoqërinë civile për të shtyrë qëllimet tona të përbashkëta. Pamjet që kemi parë të shtunën e kaluar, mund të japin përshtypjen e gabuar se Shqipëria nuk është gati për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit në qershor të këtij viti. Qytetarë të Shqipërisë: Si miq të Shqipërisë dhe përkrahës të integrimit të saj në BE, ne ju ftojmë që të dërgoni një porosi të qartë në botë se Shqipëria është e pjekur për të zgjidhur konfliktet e saj në mënyrë paqësore dhe demokratike,” kanë shkruar anëtarët e parlamentit evropian Knut Fleckenstein dhe Eduard Kukan, përcjell Zhurnal.mk.

© ZHURNAL 13.05.2019, 19:44 | B.M. | 928 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.al, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."