Ngecje në realizimin e investimeve kapitale
ekonomi
Ngecje në realizimin e investimeve kapitale

Ngecje në realizimin e investimeve kapitale

Shkup, 12 maj - Maqedonia e Veriut me shumë vështirësi po arrin të realizojë investimet kapitale, të projektuara në bazë të buxhetit të shtetit për vitin 2019.

Të dhënat flasin se gjatë tremujorit të parë, nga arka e shtetit kanë arritur të realizohem vetëm 26 milionë euro nga 423 milionë eurot sa ishin paraparë për investimet kapitale në infrastrukturë, gazifikim, ndërtimin e shkollave, spitaleve e shumë investime të tjera.

Nëse krahasohet me vitin e kaluar, investimet kapitale për këtë vit janë më të ulëta, përkatësisht 6,2 për qind, teksa më 2018, në tremujorin e parë ishin realizuar 7,46 për qind e investimeve kapitale.

Ndonëse udhëheqësit shtetërorë janë zotuar se ky vit do të jetë vit i ekonomisë, njohësit e çështjeve ekonomike, thonë se Qeveria që udhëhiqet nga Zoran Zaev, duhet të angazhojë ekspertë në lëmin e ekonomisë dhe jurispodencës, që t’i jepet shtytje projekteve të planifikuara. Në të kundërtën, sipas tyre, pjesa më e madhe e projekteve do të mbeten vetëm në letër.

“Shkaku kryesor për mosrealizimin e investimeve kapitale është mungesa e kapaciteteve administrative të institucioneve për t’i hartuar projektet si bazament, prej ku duhet të fillojë realizimi i projekteve. Është fakt se Maqedonia e Veriut gjatë kësaj periudhe ka qenë e bllokuar me shumë probleme të tjera të natyrës politike, por kjo nuk e arsyeton lënien anash të realizmit të projekteve ekonomike, si rrjedhojë e ngecjes së reformave ekonomike”, thotë për Radion Evropa e Lirë, ish-ministri i Financave, Xhevdet Hajredini.

Nga ana tjetër, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev në fund të prillit deklaroi se ndjek me vëmendje për çdo javë dinamikën e realizimit të projekteve kapitale dhe se u shpreh i kënaqur nga raportet e detajuara që ka parë.

Ai shtoi se pret që realizimi i projekteve kapitale të intensifikohet në katërmujorin e dytë dhe të tretë të vitit.

Por, Marjan Petreski, ekspert i ekonomisë, për Radion Evropa e Lirë thotë se realizimi i investimeve kapitale edhe më tej mbetet peng i mungesës së kapaciteteve të institucioneve për t’i planifikuar të njëjta dhe më pas për t’i realizuar ato.

“Për hir të vërtetës, problemi me planifikimin e investimeve ishte i pranishëm edhe më herët. Gjithmonë projektohen vlera të larta të investimeve kapitale, megjithëse që në tetor apo nëntor, kur projektohet buxheti për vitin e ardhshëm, dihet mirëfilli se nuk do të mund të realizohen tërësisht investimet e kapitale sipas projeksionit të Qeverisë”, thotë Petreski.

Petreski thotë se për të shmangur problemet e kësaj natyre, nevojitet një debat i gjerë mes ekspertëve dhe Qeverisë për të përcaktuar se për çfarë investimesh kapitale ka më shumë nevojë vendi dhe më pas të diskutohet për kapacitetet e institucioneve për realizimin e tyre. Sipas tij, në njëfarë forme, Qeveria e ka pranuar se nuk ka kapacitete teknike për të realizuar projektet kapitale.

“As qeveria e kaluar dhe as kjo qeveri nuk hapi një debat rreth investimeve kapitale për të detektuar anomalitë që paraqiten rreth realizimit të këtyre mjeteve. Tanimë është shumë e qartë se bëhet fjalë për mungesë të kapaciteteve të institucioneve që të realizojnë projektet adekuate, dhe për këtë duhet kuadër profesional dhe jo persona të deleguar nga partia”, thotë Petreski.

Ish-ministri i Financave, Xhevder Hajredini thotë se edhe kjo përbërje qeveritare, promovimin e projektet kapitale e fut në llogari të interesave të ngushta partiake.

“Përdorimi i parametrave ekonomik për propagandë partiake është jashtëzakonisht kundërproduktive. Ndërkohë që kemi një nivel tejet të ulët të realizimeve kapitale, kryeministri del dhe prononcohet se këtë gjendje do ta kompensojmë gjatë tremujorit të ardhshëm, pa bërë ndryshime thelbësore që kjo të mund të realizohet. Për mua këto prononcime pa bazë edhe më shumë do të rrisin dëshpërimin e qytetarëve” , thotë Hajredini.

Ndryshe, autoritetet e vendit në fillim të vitit u arsyetuan se për nivelin e ulët të realizimit të investimeve kapitale fajin e kishte moti i ligë.

Ndërkohë që në bazë të projeksioneve buxhetore janë ndarë mjete për investime në infrastrukturën hekurudhore, gazifikimin e vendit si dhe fillimin e punës me ndërtimin e Qendrës së re Klinike në Shkup dhe Shtip.

© ZHURNAL 12.05.2019, 13:51 | T.E. | 830 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.al, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."