Finale angleze edhe në Europa League, Arsenal-Çelsi më 29 maj në Baku
sport
Finale angleze edhe në Europa League, Arsenal-Çelsi më 29 maj në Baku

Finale angleze edhe në Europa League, Arsenal-Çelsi më 29 maj në Baku

Liga e Europës mbylli etapën e gjysmëfinaleve edhe për këtë edicion dhe Arsenali u konfirmua me potencë si finalisti i parë, pasi tregoi karakter dhe siguroi potencial të arrirë edhe në duelin e kthimit gjysmëfinal ndaj Valencias, duke fituar me rezultatin 4-2 dhe duke merituar finalen. Në fakt, Kevin Gameiro i dha shpresë Valencias me golin e tij në minutën e 11-të, duke e futur në vallen e kualifikimit skuadrën spanjolle,e por emocioni dhe festa zgjatën vetëm pak minuta, pasi sulmuesi Pier Emerik Aubamejang shënoi golin e barazimit, pikërisht në minutën e 17-të, duke barazuar shifrat 1-1 dhe duke e bërë gjithnjë e më të vështirë për Valencian kalimin në finale. Dihet që Arsenali kishte fituar ndeshjen e parë 3-1 dhe kjo u jepte anglezëve një avantazh të madh. Lakazete mund të kishte kaluar në avantazh Arsenalin tri minuta para fundit të pjesës së parë, pasi pati rast ideal shënimi pas pasimit perfekt të Aubamejang, por topi i goditur prej tij përfundoi në shtyllën e majtë pingule të Valencias dhe përfundoi jashtë. Në pjesën e dytë Arsenali gjeti sërish golin, këtë herë me Lakazeten, i cili realizoi në minutën e 50-të, duke u dhënë “topçinjve” avantazh të dukshëm për kualifikimin. Por Valencia nuk u dorëzua dhe insistoi që të bënte lojën e saj për ta fituar ndeshjen dhe në minutën e 58-të Gameiro barazoi shifrat 2-2, duke mbajtur hapur takimin, megjithëse kualifikimi dukej gati i pamundur. Kjo u bë më e dukshme pasi në minutën e 70të Aubamejang shënoi golin e tretë për Arsenalin, duke mos i dhënë asnjë shans Valencias të pretendojë “remuntadën”. Për t’i dhënë fund çdo ëndrre spanjolle mendoi sërish Aubamejang që shënoi golin e katërt për Arsenalin në minutën e 89-të. Dueli tjetër gjysmëfinal ishte ai midis Çelsit dhe Eintrahtit të Frankfurtit, dhuroi emocione të mëdha. Ndeshja e parë midis tyre ishte mbyllur në barazim 1-1, kështu që anglezët kishin avantazhin e fushës. Në duelin e luajtur në “Stamforde Bridge”, Çelsi e bëri mirë detyrën sidomos në pjesën e parë, ku Ruben Loftus Çek shënoi në minutën e 28-të, një gol që solli qetësinë në kampin blu të trajnerit Mauricio Sarri dhe i dha avantazhe ekipit anglez për ta fituar ndeshjen. Nuk ishte aspak e lehtë, sepse gjermanët u treguan mjaft të fortë në mbrojtje dhe ishin të përqendruar maksimalisht, duke tentuar nëpërmjet kundërsulmit të bënin surprizën. Por kjo surprizë do të vinte në fillim të pjesës së dytë, ku talenti i shumëkërkuar Luka Joviç shënoi golin e barazimit në minutën e 49-të, duke vënë Çelsin nën presion dhe rezultati u jepte të drejtë gjermanëve të shpresonin maksimumin, pra kualifikimin, pasi goli u dha shpresë. E vërteta është se gjermanët dominuan edhe në statistikat e ndeshjes, si në goditjet në portë, goditjet nga këndi, epërsia në ndërtimin e aksioneve etj. Dukej qartë se Çelsi ishte në vështirësi dhe kjo ishte një betejë mbi të gjitha taktike, ku zhdërvjelltësia dhe disiplinimi apo përqendrimi i gjermanëve të Eintrahtit të Frankfurtit ishin të admirueshëm. Dueli 90-minutësh u mbyll 1-1 dhe u desh të luhej shtesa 30 minutëshe, e cila nuk prodhoi gola, gjë që çoi në ekzekutimin e penalltive. Nga pika e 11-metërshit lojtarët e Çelsit u treguan më të saktë dhe fituan 4-3, duke marrë “biletën” për në finalen e madhe me Arsenalin, duel që do të luhet më 29 maj në Baku të Azerbajxhanit./sot.com.al

© ZHURNAL 10.05.2019, 09:18 | Z.H. | 718 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.al, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."