Partia turke e shqetësuar me zhvillimet në BFI
maqedonia
Partia turke e shqetësuar me zhvillimet në BFI

Partia turke e shqetësuar me zhvillimet në BFI

Shkup, 24 prill – Partia Demokratike Turke ka reaguar dhe është shprehur seriozisht e shqetësuar për zhvillimet në Bashkësinë Fetar Islame në Maqedoninë e Veriut.

“Ne jemi shumë të shqetësuar rreth zhvillimeve të fundit lidhur me BFI-në, të cilat shkelin reputacionin e besimit tonë Islamin, e cila është fe e paqes dhe tolerancës. Prandaj deklarojmë se dënojmë me forcë të gjitha ndikimet e jashtme dhe të brendshme në funksionimin e BFI-së, e cila ka autonominë e vet në funksionimin e bashkësive fetare në vendin tonë.

Për vite me rradhë, ky institucion ka qenë objektiv i vazhdueshëm i kritikave, gjë që negativisht dhe në mënyrë të dëmshme ndikon në reputacionin e anëtarëve të fesë islame në vendin tonë, e cila ka një karakter multietnik dhe shumëfesional”, thuhet në deklaratë me shkrim.

Partia u kërkon institucioneve shtetërore të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm në marrjen e vendimeve lidhur me institucionin që është jashtëzakonisht i ndjeshëm ndaj anëtarëve të fesë islame dhe në të njëjtën kohë i bëjnë thirrje autoriteteve të bashkësisë fetare islame, si përfaqësues të muslimanëve në vend të sillet me shumë kujdes dhe përgjegjësi në marrjen e të gjitha vendimeve në procesin e funksionimit të institucionit.

“Partia Demokratike e Turqve në ekzistencën e saj 30-vjeçare ka qenë gjithmonë mbrojtësi kryesor i vlerave shpirtërore dhe kulturore të turqve dhe të gjithë anëtarëve të tjerë të fesë islame në vendin tonë dhe prandaj nuk do të lejojmë që feja jonë të abuzohet për qëllime politike dhe të tjera”, lexohet në fund të reagimit, transmeton “Zhurnal”.

© ZHURNAL 24.04.2019, 23:13 | B.L. | 2,558 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.al, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."