Në Gostivar do të hapet qendër për promovimin e turizmit
ekonomi
Në Gostivar do të hapet qendër për promovimin e turizmit

Në Gostivar do të hapet qendër për promovimin e turizmit

Gostivar, 15 prill- Qendra për promovim të ofertës turistike do të hapet në Gostivar. Vendimin e solli Këshilli i Komunës, ndërsa me të fillon realizimi i projektit “Qendra të mençura informuese dhe promovuese" (Smart Tourist Info dhe Promo Offices).

Në arsyetimin dhe prezantimin e planit të biznesit, para anëtarëve të Këshillit u përmend se qendra e këtillë do të jetë pjesë e rrjetit edhe me gjashtë të tjera të cilat do të hapen në rajonin e Pologut.

"Projekti parasheh vendosjen e tre qendrave në territoret e komunave Tetovë, Gostivar dhe Mavrovë Rostushë të cilat do të jenë funksionalisht të lidhura në një platformë të vetme që do t'i grumbullojë, përpunojë të dhënat nga vizitorët e shërbyer. Nga ana tjetër, secila qendër promovon prodhime të llojit të mikro-lokalitetit në të cilin është stacionuar", tha Besim Dogani nga zyra për Zhvillim lokal ekonomik në Komunën e Gostivarit.

Së shpejti, në sheshin e qytetit do të fillojë edhe vendosja e objektit montues (kontejner) me sipërfaqe prej rreth 30 m2 prej të cilave njëra gjysmë do të jetë për informim, ndërsa tjetra si hapësirë ekspozuese për promovim të shërbimeve.

Në këtë qendër është paraparë të punësohen katër persona të cilët do të punojnë në dy ndërrime.

Për këtë nevojë, Komuna e Gostivarit do të ndajë 2,1 milionë denarë apo rreth 35 mijë euro.

Përveç me qendrat në rajonin e Pollogut, është paraparë edhe rrjetëzimi me qendra të këtilla në Prizren dhe Prevallë në Kosovë dhe Belsh, Shqipëri.

Sipas Doganit, përmes këtyre qendrave komunat do të pajisen me objekte bashkëkohore për informim turistik dhe me platformë që mundëson informim relevant dhe cilësor të vizitorëve në rajon dhe ofertë më të kapshme turistike.

Projekti "Qendra të mençura informuese dhe promovuese" ishte ranguar më lartë në forumet rajonale të mbajtura në rajonin malor të Pollogut për “Zhvillim të qëndrueshëm dhe inkluziv të barabartë rajonal". /Zhurnal.mk

© ZHURNAL 15.04.2019, 13:12 | Z.H. | 1,101 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.al, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."