Vuçiç merret me Kosovën: Hiqni taksën që të vazhdojë dialogu!
kosova
Vuçiç merret me Kosovën: Hiqni taksën që të vazhdojë dialogu!

Vuçiç merret me Kosovën: Hiqni taksën që të vazhdojë dialogu!

Aleksandar Vuçiç ka përsëritur sot se nuk do të ketë vazhdim të dialogut me Kosovën, përsa kohë Prishtina nuk e tërheq taksën.

 

Takimi i Berlinit në 29 prill do të jetë jashtëzakonisht i vështirë për Serbinë, ka thënë Presidenti serb, i cili hodhi poshtë spekulimet e opozitës serbe se në kryeqytetin gjerman ai ka ndërmend të nënshkruajë njohjen e pavarësisë së Kosovës.

 

“Thanë se Vuçiç dhe Bërnabiç do ta njohin Kosovën e pavarur. Unë nuk do të pranoj asgjë atje, apo kudo tjetër… Ndryshe nga ata që heshtën dhe ia mbathën tuneleve për në Bukuresht kur u shpall pavarësia”, deklaroi Vuçiç për një televizion vendas.

 

Kreu i shtetit serb theksoi se nuk ka pasur presione nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel, por kujtoi se si kohët e fundit ambasadori gjerman ka përsëritur se dialogu duhet të vazhdojë pa heqjen e taksës.

 

“Kjo nuk mund të ndodhë, nuk jemi budallenj dhe nuk lejojmë që dikush të na nënvlerësojë”, shtoi ai.

 

Përpara takimit të Berlinit, retorika politike Beograd-Prishtinë u ashpërsua ndjeshëm e shkas për grindjen u bë Masakra e Reçakut, të cilën Vuçiçi e cilësoi si trillim të shqiptarëve../Top Channel

© ZHURNAL 14.04.2019, 08:59 | Z.H. | 264 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.al, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."