Vasfije Krasniqi viziton vendin ku u dhunua
kosova
Vasfije Krasniqi viziton vendin ku u dhunua

Vasfije Krasniqi viziton vendin ku u dhunua

Vasfije Krasniqi – Goodman, e mbijetuara e dhunës seksuale në luftën e Kosovës, ka vizituar vendin e krimit, 20 vjet pas kishte përjetuar dhunën.

Ajo ka marrë guximin që të ballafaqohet me vendin e krimit në fshatin Babimost të Obiliqit dhe nga ai vend ka ftuar institucionet që kjo ditë të mbetet si simbolikë.

“20 vjet më parë, në këtë oborr mu shua edhe ëndrra e fëmijërisë”, kështu e fillon fjalimin Vasfije Krasniqi, në oborrin ku edhe e përjetoi tmerrin aso kohe.

Në po këtë vend, 20 vite pas, ajo ende bën thirrje për drejtësi, për të cilën thotë se edhe iu mohua.

“Unë sot po foli si një 16 vjeçare kur ka ndodhur rasti para 20 viteve këtu në këtë oborr. Aty mua mu shuan ëndrrat e fëmijërisë, unë nuk e dija se çfarë po ndodh me mu, por unë e dija se çfarë po bëhet, por mendjen e kisha tek familja, se i lashë aty krejt në shtëpi, qysh më murrën, e kisha nënën, e kisha vëllanë, e kisha axhën. Unë drejtësi kërkova prej 99’es te UNMIK-u, në 2010 te EULEX-i. Mua drejtësia më është mohuar, por unë nuk do të ndalem, do të vazhdoj jo vetëm për vete, por për 20 mijë tjera të kërkoj drejtësi, si prej Kosovës, ashtu edhe prej shteteve tjera...Por neve çka na duhet, nuk po kërkojmë asgjë më pak e as më shumë, përveç se drejtësi. Drejtësia neve na duhet se shpirti jonë nuk do të rehatohet derisa të kemi drejtësinë”, ka deklaruar Krasniqi.

Krasniqi thotë se këto krime nuk duhet të fshihen më, sepse dëshmitarë të tyre janë familjarë, bashkëshortë, prindër e fëmijë.

Për tmerrin që ka përjetuar motra e tij, Nafi Krasniqi thotë se e ka shumë rëndë edhe të kalojë pranë këtij vendi. Ai po ashtu rrëfen se dhunimi nuk ka ndodhur vetëm në oborrin e kësaj shtëpie, por edhe në një shtëpi në fshatin Babimost të Obiliqit, ku fare pranë vendit, ai thotë se vazhdon të jetë i lirë kryerësi i kësaj vepre.

“Për neve është gjithmonë e njëjtë, tek ne vitet janë vetëm numra, sikur para 19 viteve, sikur para 18 është e njëjta, janë vetëm numra. Gjithmonë është shumë e rëndë kur kalojmë këtej. Për neve është shumë e rëndë, sepse në këtë shtëpi ka ndodhur krimi i para 20 viteve ndaj motrës tonë, e cila në atë kohë ka qenë vetëm 16 vjeçare. Mirëpo nuk ka ndodhur krimi vetëm këtu, fillimisht është sjell në këtë shtëpi, pastaj e kanë marrë edhe e kanë dërguar në një shtëpi brenda fshatit Babimost, por aty nuk ka mundësi të shkojmë për shkak se në afërsi të asaj shtëpie jeton i dyshuari i dytë ose krimineli i dytë, për shkak që aty nuk ka të dyshuar, mirëpo është një kriminel që ne e kemi identifikuar se ai e ka dhunuar motrën për herë të dytë”, thotë ai.

Vëllai i Vasfijes kërkon nga institucionet e drejtësisë që të kërkohet drejtësi për viktimat e dhunës seksuale, raporton KP.

I pakënaqur me atë se çfarë është bërë deri më tani është shprehur edhe xhaxhai i Vasfije Krasniqit, Mexhidi.

“Ne kemi qenë prezent gjatë luftës, kur e kanë dhunuar Buqen dhe njëkohësisht jemi ndjerë rëndë, na ka prekur thellë në shpirtin e në zemër, por kemi qëndruar ashtu siç kemi mundur, bile edhe Buqja ka qëndruar e fortë, është mbajtur mirë dhe njëkohësisht tashmë është prej femrave të para, e cila ka dal me një zë që me tregu realitetin çfarë ka ndodhur... Pak punohet në këtë drejtim, ose është punuar fare pak që nuk po zbulohen e nuk po gjykohen kryerësit e veprave të cilat i kanë bërë... Institucionet tona me të vërtetë nuk kanë punuar mjaft, ose nuk kanë mundur të punojnë mjaft”, është shprehur ai.

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti, thotë se krimet e dhunimit të luftës dhe pasojat e saj janë ndër krimet më të heshtura në historinë e Kosovës, ku për të tilla raste nuk ka ndonjë ditë të veçantë që të shënohet ky krim.

“Këtë pranverë po e shënojmë 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës. Siç e dini kjo pranverë po shënon aktivitete të ndryshme, po shënohen ditë të lavdishme të Epopesë së UÇK-së, ditë të masakrave, torturimeve, keqtrajtimeve, por fatkeqësisht nuk ka ndonjë ditë të veçantë që të shënohet krimi më i heshtur i historisë së re të Kosovës, pra krimi i dhunimit në luftë, në raport me dhunimet seksuale në Kosovë... ka ardhur pikërisht sot të sfidojë veten, por edhe t’i sfidojë të gjitha institucionet e Kosovës edhe t’i thërrasë për të reflektuar që këto krime të dhunimit mos të ngelin pa ndëshkuar“, tha ajo.

Rushiti ka thënë se e kanë vizituar vendin e krimit për t’i treguar shoqërisë kosovare që kujtesa kolektive dhe historia e Kosovës, nuk mund të shënohet pa i marrë në konsideratë edhe 20 mijë viktimat e dhunës seksuale.

Rushiti ka shtuar se për këtë vizitë në vendin ku ishte dhunuar 20 vjet më parë, Vasfije Krasniqi, kanë pasur shumë kërkesa nga institucionet që të marrin pjesë, mirëpo si organizatë kanë dashur ky aktivitet të shënohet me familjarë dhe pjesëtarë të QKRMT-së.

Pavarësisht kësaj, për të vizituar vendin ku Krasniqi u dhunua seksualisht para 20 viteve, kishte ardhur edhe kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri.

“Si një bashkëmoshatar i Buqes, si një kojshi, që vijmë prej të njëjtit vend dhe kemi ndarë të njëjtin fat, sot jam këtu për të shprehur mbështetjen time personale, të familjes time, mbështetjen e qytetarëve të Vushtrrisë, për aktin e guximshëm të zonjës Vasfije Krasniqit, dhe do të bashkohemi me të dhe me të gjithë ata që kërkojnë drejtësi. Sot dhe gjithmonë kërkojmë drejtësi për krimet e dhunës seksuale në Kosovë, këto krime janë heshtur shumë gjatë, por tani duhet që të gjithë bashkë të bashkohemi një zë i vetëm dhe të thërrasim për drejtësi”, thotë Tahiri.

Vasfije Krasniqi, tashmë 36 vjeçare, 20 vjet më parë më 13 prill, ishte marrë nën kërcënimin e armëve nga shtëpia e saj nga një burrë me uniformë të Policisë së Serbisë, ku i ishte nënshtruar torturave dhe dhunimit seksual. Për këtë akt makabër, asnjë person ende nuk është i dënuar.

© ZHURNAL 14.04.2019, 19:28 | T.E. | 2,741 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.al, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."