Manastirliu: 11 të lënduar nga protesta lënë spitalin
shqiperia
Manastirliu: 11 të lënduar nga protesta lënë spitalin

Manastirliu: 11 të lënduar nga protesta lënë spitalin

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaron se 11 personat e lënduar gjatë protestës së dhunshme të opozitës tashmë kanë dalë nga spitali dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Ajo thotë se ekipet mjekësore ishin në gatishmëri për të trajtuar qyetarët dhe policët e lënduar nga protesta e dhunshme e opozitës.

“11 personat e lënduar gjatë protestës së dhunshme të opozitës kanë lënë spitalin në gjendje të stabilizuar. Gatishmëria e ekipeve tona mjekësore gjatë dhe pas protestës së opozitës, që precipitoi në mënyrën më të shëmtuar dhe të papërgjegjshme në dhunë ndaj forcave të rendit, ishte si çdo herë maksimale, duke trajtuar në kohë policët dhe qytetarët e lënduar. Dëshpërimi i atyre, që të vetmen gjuhë që njohin kanë gjuhën e shashkave dhe të vetmen alternativë, dhunën ndaj institucioneve, shkaktoi lëndime fizike mbi pesë policë, të cilët u goditën në fytyrë dhe gjymtyrë. Fatmirësisht, pa pasoja të rënda për shëndetin e tyre. Gjatë protestës së djeshme 11 persona janë transportuar me autoambulancat dhe ekipet e Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, nga të cilët pesë punonjës policie dhe një protestues u trajtuan në spitalin universitar të Traumës nga lëndimet e marra për shkak të lëndëve plasëse. Ndërsa pesë qytetarë kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Një falënderim për të gjithë ekipet e urgjencës mjekësore paraspitalore të Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore dhe stafeve të urgjencave të QSUT dhe spitalit universitar të Traumës për gatishmërinë dhe profesionalizmin e treguar”, shkruan Manastirliu.

© ZHURNAL 14.04.2019, 18:02 | T.E. | 435 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.al, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."