"KU PO MË DËRGON KOHA"
opinion
"KU PO MË DËRGON KOHA"

"KU PO MË DËRGON KOHA"

Shkruan Dëfrim Seferi

Toka ime e pa det, je ujitur nën lot që mbi ty të mbinin lule. E ndarë copëza copëza si një akull i thyer, apo thënë më mirë si një mozaik. Jetoj i vetmuar mes njerëzish që figurojnë vetëm fizikisht. Aty ku ndoshta dielli ka faj, pse janë tharrë farat e shpresës e s’kanë mbirë. Aty ku ndoshta hëna ka faj, që nuk dha shkëlqim natën, dhe ne ecëm si të verbër. Apo aty ku ne të gjithë jemi fajtor, që në qiell i lam ëndërrat e në tokë realitetin pa i prekur kurrë bashkë.
Rrugët e qytetit mbushur kalimtar. Nëpër kafene sa shumë qajn hallet. Ngrenë nga një gotë për të shuar mërzinë, dhe sapo zbrazet mbushin edhe një tjetër. Rrugëve të qytetit kalimtar jam edhe vet. Ulem në kafene të shuaj mërzinë e zi si ferri. Pi një gotë, zbrazet, pastaj pi edhe një tjetër…Më thërrasin shkrimtar, përfundova psikologjine, por punoj si kamarier! Dhe s’jam vetëm unë… Në kafenenë e dëshprimit, aty ku ne derdhim dhëmbjen çdo mbrëmje deri në agim, të gjithë kanë shkelur mbi ëndërr, kanë shkelur edhe sfidat, derisa rramë në gropën e njejtë ku edhe jemi takuar… Në gropën e imponimit!
Toka ime e pa det, gjithë dashurinë e zbrazëm mbi dheun tënd, por na trathtoi shiu dhe prap e la të thahet. Po shkruaj si një poet që flet përmes artit. Mund të më quash edhe artist… U quajta shankist, rojtar, pastrues e kamarier pa dashur kurrë. U quajta në çdo profesion që privatizimi luajti me mua, por kurrë s’u quajta mbi atë çka desha apo mbi atë çka përfundova. Nuk janë fjalë që shkruhen mbi rërë, dhe një valë e lehtë t’i zhdukë me rradhë. Janë fjalë që gdhenden mbi gurë, janë revolt, por thënë përsëri që shprehen përmes artit. Kuptoje shpirtin e poetit vetmitar, se aty ku askush nuk t’i dëgjon hallet, nuk ja vlen as të flasësh, ndaj po shkruaj.
U rrita në varfëri, dhe në varfëri kam mbet. E unë vrapoj çdo ditë posht e lartë! Tek një cep shkruan “ Kërkojmë puntorë” , dhe vloj nga dëshira të aplikoj prap edhe pse kamë mësuar përmendësh procedurën. Mbyllet aplikacioni, punësohen plot familjar, por ne nevojtarët s’njihemi. Të krijuar nga materie e zezë askush s’e kthen kokën. Spaku të më pyesin edhe mua “Dëfrim, si je?”! Por paskam harruar edhe emrin tim ashtu siç e harruan të tjerët.
Ç’më thua për profesionin? Unë s’njohë as profesion. Krizë miku im. Ti vetëm thuam ç’të punojë dhe unë ngrihem përnjëherësh me të dyja këmbët. Gjendja sociale dhe ekonomike më kanë detyruar të bëhem sllav i sllevërve! Sot askush s’të pyet çka je apo çka dëshiron të jesh, nëse nuk të shfrytëzon nuk të mbanë. Im atë, unë…. Sa shumë desha të bëhem dizajner, por baba i mjerë e i zhytur në borxhe, pa më thuaj si do ta përballonte? Ndaj hoqa dorë për të përfunduar Psikologjinë. Në kohë dhashë çdo provim, me rregull shkova në çdo ligjëratë, dhe në fund diploma më shërbeu si dekor shtëpie. 
Ti Zot, o Krijues… dëgjoje këtë besimtar që se dëgjoi njeri mbi dhe. S’vrapova në pasuri të huaj, por qëndrova në atdhe e lava barkun bukë e kripë. Megjithëse unë s’u bëra se çka desha, por bashkë me erën u valvita si deshi ajo, të lutem mundësoja familjes time të bëhet ajo që duan…. E mos t’ua shohë lotin mbi faqe... E mos ta shohë si rob të botës kur është veç robi yt … Se zemrës sime të thyer si një gotë në copëza xhami, vetëm ai i ka mbetur si litar mes të dy botëve!

© ZHURNAL 01.04.2019, 11:22 | Xh.I. | 3,542 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.al, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."