Veseli në Shkup, takoi politikanët shqiptar të Maqedonisë së Veriut
maqedonia
Veseli në Shkup, takoi politikanët shqiptar të Maqedonisë së Veriut

Veseli në Shkup, takoi politikanët shqiptar të Maqedonisë së Veriut

Shkup, 24 mars, Zhurnal.mk - Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në 20 vjetorin e fillimit të sulmeve ushtarake të NATO-s mbi Serbi ka qëndruar të dielën në Shkup ku ka takuar disa nga politikanët shqiptar të Maqedonisë së Veriut, të cilët kanë diskutuar për bashkëpunimin ndërshtetëror.

Kreu i Kuvendit të Kosovës, ka shkruar në faqen e tij në Facebook se pikërisht në 20 vjetorin e fillimit të sulmeve ushtarake të NATO-s mbi Serbi, e falënderon shtetin fqinj për kontributin e çmuar që ka dhënë duke hapur rrugët e bashkëpunimit për forcat e NATO-s të cilat nga aty janë futur në Kosovë për tu dalë në ndihmë qytetarëve shqiptarë.

Veseli po ashtu ka falënderuar bashkëkombësit shqiptarë në Maqedoninë e Veriut për strehimin dhe ndihmat që kanë dhënë për qytetarët e Kosovës të dëbuar dhunshëm nga forcat serbe.

Ai ka thënë se Kosova nuk do ta harrojë asnjëherë ndihmën e miqve të saj anembanë botës në kohën e luftës dhe do të jetë mirënjohës përjetë.

Ndryshe sot në Shkup, më 24 mars, është shënuar 20-vjetori i intervenimit të NATO-s kundër caqeve serbe në Kosovë, organizuar nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSH) dhe Instituti i Historisë “Ali Hadri” – Prishtinë.

Bombardimet e caqeve të ushtrisë vrastare serbo-jugosllave zgjatën plot 78 ditë, nga 24 marsi deri në 10 qershor 1999. Intervenimi i NATO-s dhe lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – u vlerësua në manifestimin në Shkup - e çliruan Kosovën nga okupimi i Beogradit, Kosova shpalli pavarësinë dhe u bë shtet më vete në vitin 2008.

Gjithkund ndër shqiptarë 24 Marsi i vitit 1999 shënohet si një ditë e rëndësishme drejt lirisë, pavarësisë dhe sigurimit të vlerave demokratike, të të drejtave të njeriut dhe të drejtave dhe të lirive fetare etj.

© ZHURNAL 24.03.2019, 20:37 | B.M. | 5,239 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.al, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."