Gjykata i lë Prokurorisë afat 10 marsin të mbyllë dosjen e Tahirit
shqiperia
Gjykata i lë Prokurorisë afat 10 marsin të mbyllë dosjen e Tahirit

Gjykata i lë Prokurorisë afat 10 marsin të mbyllë dosjen e Tahirit

Tiranë, 12 shkurt - Gjykata për Krime të Rënda vendosi dje të pranojë kërkesën e ish-ministrit të Punëve të Brendshme. Prokuroria duhet të dorëzojë dosjen për gjykim ose nëse do të mbyllë hetimet për ish-ministrin e Brendshëm të vënë nën akuzë për trafik droge në bashkëpunim. Saimir Tahiri: Gjykata më dha të drejtë


Gjykata për Krime të Rënda vendosi dje të pranojë kërkesën e ish-ministrit të Punëve të Brendshme duke rrëzuar vendimin e Prokurorisë për të shtyrë për të katërtën radhë me 3 muaj hetimet për Saimir Tahirin të akuzuar për përfshirje në trafik të drogës, në bashkëpunim me grupin Habilaj. Pas më pak se dy orëve në Gjykatë, ish-ministri në një prononcim për gazetarët bëri publik vendimin e marrë. Ai tha se Gjykata i vendosi afat prokurorisë që deri më 10 mars të caktojë, nëse çështja Tahiri do të kalojë për gjykim, ose në të kundërt të mbyllë hetimet. Gjykata më dha të drejtë – tha Tahiri – duke shtuar se “është e drejta e prokurorisë të bëjë ç’të dojë”. “Kjo histori nuk mund të zgjasë pa fund. Deri më 10 mars koha numërohet mbrapsht, ka kohë deri atëherë. Nuk e shoh si lojë golash, e shoh si mundësinë time për të marrë drejtësinë që më takon. Kam mbajtur në kurriz akuza nga më të rëndomtat. Kam pritur 1 vit e ca pa folur, që drejtësia të flasë, me të gjitha akuzat politike me të cilat s’po merrem. Merre me mend se çfarë ndodh me qytetarët e thjeshtë, kur kjo ndodh me mua që kam mundësinë të flas edhe me median. Kam fatin të ndjej mbështetjen e gjithë njerëzve tek unë, dhe siç kam fatin të ndjej edhe mosbesimin e të tjerëve”, u shpreh ndër të tjera ish-ministri i Punëve të Brendshme. 10 marsi është afati i fundit që Prokuroria e krimeve të Rënda do të marrë një vendim për dosjen ku po hetohet ish-Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Gjykata i dha të drejtë Tahirit, i cili e ankimoi zgjatjen dhe me tre muaj të afateve hetimore, të cilat nisën në tetor të vitit të kaluar me akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe trafik të lëndëve narkotike të kryer në bashkëpunim. Në dalje nga Gjykata e Krimeve të Rënda, ish-Deputeti i Partisë Socialste dha një intervistë për mediat e pranishme.

Saimir Tahiri: Kësaj maratone po i vjen fundi. Për mua e prokurorinë nisi numërimi mbrapsht. Deri më 10 mars kemi kohë të mjaftueshme të mbyllë hetimet dhe për mua që ti shkojmë të vërtetës deri në fund.

Por a do e shohim sërish në politikë?

Saimir Tahiri u përgjigj: Ka kohë për të gjitha.

Më herët u zhvillua dhe seanca për Jaeld Çelën, ish-drejtorin e policisë së Vlorës, i cili ka ankimuar afatet hetimore. Edhe pse janë në të njëjtën dosje, vendimi për të u shty për në datën 14 shkurt. Pak javë më parë organi i akuzës mbylli hetimet për 9 persona të dyshuar si anëtare të grupit Habilaj, por ndau dy dosje që po hetoheshin bashkë me të, të ish-zyrtarëve të policisë dhe ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Edhe këtë herë Tahiri nuk u braktis nga mbështetësit të cilët madje kishin veshur edhe bluza ku ishte stampuar fotoja e tij.

Shtyhet vendimi për ish-drejtorin e Policisë Vlorë Jaeld Çela

Shtyhet për në datën 14 shkurt vendimi për ish-drejtorin e Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, i akuzuar si pjesë e grupit të strukturuar kriminal që merrej me trafikim të lëndëve narkotike. Avokati mbrojtjës tha se kanë kërkuar kohë për tu njohur me provat e prokurorisë. Ndërsa i pyetur se pse nuk dorëzohet ish-zyrtarë i policisë, avokati nuk pranoi të flasë. “U paraqitën provat nga ana e Prokurorisë, pasi u relatua nga ana e Prokurorisë u kërkua koha nga ana jonë që të njiheshim me këto prova dhe më pas të paraqisnim pretendimet. Prokuroria ka pasur mundësinë që ti kryente edhe më përpara, ka patur kohën e nevojshme. Duhet të njihemi me provat që ka paraqitur pastaj do ndalim me konkluzione të tjera”. Çela ndodhet prej rreth një viti ne arrati pasi Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë masën “arrest në burg” në mungesë në nëntor të 2017-ës, së bashku me ish-zyrtarin tjetër të policisë Gjergji Kohilën. Ata dyshohet se kanë favorizuar grupet kriminale gjatë viteve 2015-2016 për kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike por që prej nisjes së hetimeve organi i akuzës ka zgjatur tre herë hetimet për të akuzuarit.

© ZHURNAL 12.02.2019, 09:47 | Xh.I. | 606 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.al, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."