"ANALIZË-ZHURNAL" Ja si mund të faktorizohen shqiptarët në disa komuna
maqedonia
"Analizë-Zhurnal" Ja si mund të faktorizohen shqiptarët në disa komuna

"Analizë-Zhurnal" Ja si mund të faktorizohen shqiptarët në disa komuna

Shkup, 12 Shkurt, Zhurnal.mk – Bashkimi i disa komunave në Maqedoninë e Veriut me qëllim të krijimit të mundësisë për përdorimin e gjuhës shqipe sipas kushtetutës dhe ligjit për gjuhët në administratat komunale, është një proces ende i papërfunduar dhe mund të pritet që iniciohet në një të ardhme jo të largët nga partitë politike shqiptare.

Pas vitit 2004, një gjë e tillë kishte ndodhur edhe në vitin 2013 kur komuna e Kërçovës u bashku me Zajasin nga BDI dhe VMRO-DPMNE.

E mundësi të tjera në të ardhmen ka po ashtu edhe me komuna të tjera, siç janë Gazi Babë (17.216 % shqiptarë) e Haraçinë (93.808%), ku përqindja e shqiptarëve sipas regjistrimi të vitit 2002 do të ishte 27.763 për qind në komunë të re.

Me këtë bashkim eventual shqiptarët në komunën e re do të kishin mundësi që të shfrytëzojnë ligjin për gjuhën zyrtare shqipe, por edhe të përfitojnë nga buxheti i madh që tash ka komuna Gazi Babë.

Mundësi të këtilla për gjuhën shqipe ka pastaj edhe nëse do të bashkoheshin komunat Mavrovë-Rostushë (17.208 % shqiptarë) me Kërçovën (54.516 % shqiptarë), apo edhe nëse Mavrovë-Rostushë do të bashkohej me komunën e Gostivatrit (66,679 % shqiptarë).

Në të dy versionet banorët shqiptarët e Mavrovë-Rostushës do të fillonin të shfrytëzonin shërbimet komunale administrative edhe në gjuhën shqipe.

Mundësi dhe arsye të tjera ka po ashtu edhe nëse do të bashkoheshin Likova (97.420% shqiptarë) me Çucher-Sandevë (22.877%), ku shqiptarët do të mund të merrnin në kontroll komunën e re të bashkuar për shkak të numrit të madh të tyre në Likovë.

Apo bashkimi eventual i Likovës me Kumanovën (25.871% shqiptarë) është një version tjetër që do të mund të hapte mundësinë që edhe në komunën e re të formuar shqiptarët të rrisin ndikimin e tyre në asamblenë e re komunale për çështje buxhetore apo madje dhe të fitojnë kryetarin e komunës.

Mirëpo cilat janë arsyet e vërteta pse inicimi i këtyre kombinimeve të mundshme të ri-organizmit territorial të komunave nuk po bëhet tash në parlament ?

A duhet pritur regjistrimin e ri të popullsisë apo partitë politike do të nisin fushatat e tyre pa u saktësuar numri dhe përqindja e re e banorëve nëpër secilën komunë për të mundur patur një pasqyrë të qartë para llogaritjeve të reja dhe propozimeve të ardhshme eventuale në parlament për freskimin e ligjit të kufijve të komunave ?

© ZHURNAL 12.02.2019, 15:02 | B.M. | 10,736 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.al, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."