Dëmet nga tërmeti: Bashkia e Matit jep dëmshpërblimet vetëm për pleqësinë dhe militantët e PD-së
shqiperia
Dëmet nga tërmeti: Bashkia e Matit jep dëmshpërblimet vetëm për pleqësinë dhe militantët e PD-së

Dëmet nga tërmeti: Bashkia e Matit jep dëmshpërblimet vetëm për pleqësinë dhe militantët e PD-së

Fiks Fare solli mbrëmjen e sotme skandalin që ka ndodhur në bashkinë Mat me dëmshpërblimet që ka miratuar kjo bashki për dëmet e shkatuara nga tërmeti i 11 gushtit të vitit që shkoi.

Në fshatin Barbullej të Matit kanë përfituar dëmshpërblim nga shteti vetëm 6 familje , nga 15 të dëmtuara. Në listën e hartuar nga bashkia e Matit, figuron familja e kryeplakut të fshatit , vëllezërve të tij dhe e pleqësisë së fshatit njëkohësisht anëtarë të Partisë Demokratike. Madje njëri prej tyre, përfiton 1 500 000 lekë dëmshpërblim për shtëpinë edhe pse kishte 15 vjet që nuk jetonte në atë shtëpi.

Tërmeti i datës 11 gusht 2018 me magnitudë 5.1 të shkallës rihter dëmtoi rreth 400 banesa në rrethin Mat. Bashkia Mat hartoi listat me familjet të cilat ishin prekur dhe duhet të merrnin një dëmshpërblim, ku nga 400 familje në prefekturë u dërguan për dëmshpërblim vetëm 100 prej tyre. Edhe pse në të vërtet këshilli bashkiak e kundërshtoi listën e përpiluar nga bashkia Mat, kjo e fundit nuk ngriti më komision për rivlerësim duke miratuar listën fillestare. Fondi u dha nga Emergjancat Civile, ku u akordua një fond pre 61 milionë lekësh të reja, por që ende nuk është lëvruar.

Emisioni Fiks Fare solli rastet e disa familjeve në fshatin Barbullej të cilat mbetën jashtë listës së hartuar nga bashkia.

Ata treguan se përfituan vetëm pleqësia e fshatit, ndërkohë thonë se shtëpitë e tyre janë shumë të dëmtuara. Njëra prej familjeve që mbeti jashtë liste është edhe familja Shqypi e përbërë vetëm nga dy anëtarë, të cilët me lot në sy treguan se bashkia u çoi vetëm 2 kg oriz dhe 2 kg sheqer.

“Ju lutemi na ndihmoni, inxhinieri i bashkisë kur erdhi në fillim tha nuk duhet të banoni në këtë shtëpi, por ne nuk kemi ku shkojmë” tregon e zonja e shtëpisë duke qarë.

Banorët kërkuan ndihmën e Fiksit për të verifikuar dhe nxjerrë në dritë të vërtetën ” Kërkojmë të dalë e vërteta në dritë, nuk ndodh në rruzullin tokësor që tërmeti të bie vetëm ku ka pleqësi” thotë njëri nga denoncuesit.

Gazetarët e Fiksit shkuan në banesat e atyre që përfituan dëmshpërblime, ato pranuan se janë anëtarë pleqësie dhe se kanë përfituar edhe vëllezërit e tyre. Madje njëri prej tyre kishte 15 vjet që nuk jetonte në shtëpinë për të cilën u dëmshpërblye me shumë 7 milion lekë të vjetra. Njëri prej anëtarëve të pleqësisë i pyetur për këtë fakt nga ana e gazetarëve të Fiksit tha se nuk mund të shpjegonte faktin se si vëllai i tij kishte përfituar , për një shtëpi ë kishte 15 vjet që nuk banonte në të.

Në këtë fshat përfituan 6 familje nga 15 të dëmtuara.

Esat Rruci, kryetar i fshatit përfitoi 347 mijë lekë.

Arif Mata, anëtar i pleqësisë përfitoi 674 mijë lekë.

Vëllai i tij, Haki Mata përfitoi 674 mijë lekë.

Kushuriri i tij, Nazmi Mata përfitoi 1 milion 300 mijë lekë.

Qamil Shqypi, anëtar i pleqësisë përfitoi 244 mijë lekë.

Vëllai i tij, Sabri Shqypi përfitoi 237 mijë lekë.

Pas këtyre fakteve Fiksi ju drejtua Bashkisë Mat, për të pyetur si u hartuan listat. Sekretarja e këshillit bashkiak tregoi se mbledhja e këshillit pas tërmetit u bë më 7 shtator, në të cilën u diskutua që të ngrihej një grup këshilltarësh dhe të shkonin në terren meqë vlerësimet nuk ishin bërë në rregull. Sipas sekretares grupi i punës ngrit për të verifikuar në terren ku nga ky verifikim kërkuan edhe rishikim të listës së dëmshpërblimeve. Kërkesë kjo që Bashkia Mat nuk e mori parasysh dhe la në fuqi listën e parë ku dëmshpërbleheshin vetëm pleqësia e fshatit dhe familjarët e tyre, të tjerët duhet të përballen me dimrin e egër në shtëpitë e dëmtuara.

Edhe një anëtar i këshillit i zgjedhur dhe si vlerësues në terren i kontaktuar nga Fiksi shprehet se ka pasur shumë probleme . “Ka përfituar vetëm pleqësia edhe pse ne rekomanduam ndryshime dhe një grup rivlerësimi” përfundon anëtari.

© ZHURNAL 10.01.2019, 21:37 | T.E. | 2,067 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.al, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."