Protesta e studentëve, thirrja e Dom Gjergj Metës: Mos u ndalni, ju mund të bëni ndryshimin!
shqiperia
Protesta e studentëve, thirrja e Dom Gjergj Metës: Mos u ndalni, ju mund të bëni ndryshimin!

Protesta e studentëve, thirrja e Dom Gjergj Metës: Mos u ndalni, ju mund të bëni ndryshimin!

Tiranë, 6 dhjetor - Në lidhje me protestën e studentëve në shumë qytete të Shqipërisë reagoi sot edhe Dom Gjergj Meta.

Përmes një shkrimi në rrjetet sociale ai shkruan se këto protesta kanë ndezur edhe dëshirën e të rriturve se në këtë vend edhe mund të jetohet.

“Rastësisht sot ju pashë në Tiranë duke protestuar. Ishit shumë. Të rinj e të freskët. Kushedi sa ëndrra keni në zemrat tuaja.

Por keni ndezur edhe te ne të rriturit dëshirën për të ëndërruar.

Në fakt ndejta disi anash teksa ju shihja, sepse nuk doja të prishja atë dekor sikurse jua prishin përfaqësuesit e politikës sidomos asaj opozitare që duke mos pasur kauza vjedh kauzat tuaja.

Ju jeni në fakt përgjigja më e mirë ndaj atyre që duan të ikin nga ky vend sepse politika e qeverisë ua ka bërë t’u gërtitet ky vend.

Ju jeni përgjigja më e mirë ndaj një grupimi opozitar pa mendim substancial, sidomos të atyre rioshave që janë plakur para kohe dhe ndaj një qeverisje pa vizion tërësor.

Ju jeni përgjigja më e mirë ndaj ne të rriturve që mbetëm duke u kap nëpër studio televizive pa asnjë produkt.

Faleminderit studentë! Jua di për nder që jeni dhe që ngrini zërin tuaj. Mos pranoni t’ju vjedhin kauzat apo t’ju blejnë.

Forconi mendimin tuaj dhe shkojini deri në fund. Keni të drejtë derisa sa doni një të ardhme.  Ju mund ta bëni ndryshimin.

Lëreni politikën plakë në “shenjtninë” e saj. Mos u ndalni. E drejta juaj është e ardhmja e vendit tonë.

Ju admiroj pafund!”, shkruan ai.

© ZHURNAL 06.12.2018, 13:04 | Xh.I. | 354 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."

 

Sela i drejtohet Zaevit: Shiko punët e tua, mos u përziejë në punët e Kosovës

Shkup, 14 dhjetor - Kryetari i Aleancës së Shqiptarëve në Maqedoni, Ziadin Sela, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev, se “ tani nuk është koha për ta formuar ushtrinë e Kosovës, dhe se Ballkani nuk duhet të bëhet fuqi baruti”.

Sela me këtë rast ka thënë se “bën thirrje tek liderët e shteteve të kenë kujdes për vendimet e marra, tregojnë fytyrën e zezë dhe nacionaliste të Kryeministrit Zaev, fillimisht ndaj shqiptarëve, Kosovës si dhe ndaj SHBA-ve si mbështetës kryesor i Kosovës në themelimin e Ushtrisë së saj”.

Ai shtoi se “Ky fjalor i Kryeministrit Zaev ndaj Ushtrisë së Kosovës vë në pikëpyetje edhe raportin e tij me SHBA duke lënë për të dyshuar se një Kosovë pa ushtri do ti konvenonte vetëm Serbisë dhe Rusisë. Andaj Kryeministri Zaev bën mirë të shikojë në oborrin e tij dhe ti bëjë reformat e duhura në Maqedoni dhe mos të përzihet në politikën e brendshme të shtetit të Kosovës”.

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Maqedonisë e cilëson deklaratën e shefit të ekzekutivit maqedonas si të papranueshme, dhe e fton që ta tërheqë këtë deklaratë.

Ziadin Sela, uron gjithë shqiptarët për formimin e ushtrisë së Kosovës.

© ZHURNAL 14.12.2018, 23:17 | T.E.
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."