Arrestohet ish drejtori i Hipotekës Korçë dhe 4 punonjës
shqiperia
Arrestohet ish drejtori i Hipotekës Korçë dhe 4 punonjës

Arrestohet ish drejtori i Hipotekës Korçë dhe 4 punonjës

Policia e Korcës ka arrestuar ish-Drejtorin e Hipotekës në Korçë si dhe 4 punonjës, pasi Gjykata e Shkallës së Parë në Korçë ka vendosur ndaj tyre masën e sigurisë ‘arrest me burg’. Në pranga kanë përfunduar ish drejtori i  Hipotekës Korcë Leftjon Bardho, si dhe punonjësit Ersild Gorari, Arsidesa Hysi, Erjon Arif dhe Andrea Zallëmi.

Sipas policisë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se të arrestuarit u kanë marrë qytetarëve të ndryshëm, sasi lekësh duke i’u përpiluar dokumente fiktive, për regjistrim pasurish të cilat rezultonin me probleme në përfitimin e certifikatës së pronësisë.

Njoftimi i policisë:

Specialistët e Seksionit për Krimin Ekonomik-Financiar, në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, bënë ekzekutimin e urdhërit të Prokurorisë, për zbatimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për ndalimin e shtetasve:

• L.B, 33 vjeç, banues në Korçë, (me detyrë ish-Drejtor në ZVRPP-Korçë).

• E.G, 34 vjeç, banues në fshatin Barç, (ish-punonjës në ZVRPP-Korçë)

• A. H, 28 vjeçe, banuese në Korçë, (me detyrë regjistruese në ZVRPP-Korçë) të tre për veprat penale parashikuar nga nenet 248, 143/2, 186, 192/a të Kodit Penal.

• E. A, 36 vjeç, banues në Korçë, (ish-punonjës në ZVRPP-Korçë) nenet 143/2 dhe 186 të Kodit Penal,

• A. Z, 65 vjeç, banues në Korçë, neni 245/1 i Kodit Penal.

Ndalimi i tyre u bë pasi, Gjykata e Shkallës së Parë Korçë, me vendim datë 05.12.2018, ka vendosur për këta shtetas, masën e sigurisë “Arrest me burg” pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se i’u kanë marrë qytetarëve, sasi lekësh duke i’u përpiluar dokumenta fiktive, për regjistrim pasurish të cilat rezultonin me probleme në përfitimin e çertifikatës së pronësisë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme hetimore.

© ZHURNAL 05.12.2018, 21:47 | T.E. | 750 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."

 

Sela i drejtohet Zaevit: Shiko punët e tua, mos u përziejë në punët e Kosovës

Shkup, 14 dhjetor - Kryetari i Aleancës së Shqiptarëve në Maqedoni, Ziadin Sela, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev, se “ tani nuk është koha për ta formuar ushtrinë e Kosovës, dhe se Ballkani nuk duhet të bëhet fuqi baruti”.

Sela me këtë rast ka thënë se “bën thirrje tek liderët e shteteve të kenë kujdes për vendimet e marra, tregojnë fytyrën e zezë dhe nacionaliste të Kryeministrit Zaev, fillimisht ndaj shqiptarëve, Kosovës si dhe ndaj SHBA-ve si mbështetës kryesor i Kosovës në themelimin e Ushtrisë së saj”.

Ai shtoi se “Ky fjalor i Kryeministrit Zaev ndaj Ushtrisë së Kosovës vë në pikëpyetje edhe raportin e tij me SHBA duke lënë për të dyshuar se një Kosovë pa ushtri do ti konvenonte vetëm Serbisë dhe Rusisë. Andaj Kryeministri Zaev bën mirë të shikojë në oborrin e tij dhe ti bëjë reformat e duhura në Maqedoni dhe mos të përzihet në politikën e brendshme të shtetit të Kosovës”.

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Maqedonisë e cilëson deklaratën e shefit të ekzekutivit maqedonas si të papranueshme, dhe e fton që ta tërheqë këtë deklaratë.

Ziadin Sela, uron gjithë shqiptarët për formimin e ushtrisë së Kosovës.

© ZHURNAL 14.12.2018, 23:17 | T.E.
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."