Mbappe tregon se cili është lojtari më i mirë me të cilin është përballur
sport
Mbappe tregon se cili është lojtari më i mirë me të cilin është përballur

Mbappe tregon se cili është lojtari më i mirë me të cilin është përballur

Ylli francez i Paris Saint-Germainit, Kylian Mbappe, ka zbuluar se ylli belg i Chelseat, Eden Hazard, është lojtari më i mirë me të cilin ai është përballur gjatë vitit 2018.

Të hënën, Mbappe e fitoi trofeun inaugurues Kopa, me të cilin shpërblehet futbollisti më i mirë në botë nën moshën 21-vjeçare. Ai gjithashtu u radhit i katërti në listën e garuesve për Topin e Artë, transmeton Gazeta Express.

Këto shpërblime, Mbappe i ka fituar pasi që arriti të jetë mjaft mbresëlënës sezonin e kaluar me Paris Saint-Germainin, si dhe triumfoi me Kombëtaren e Francës në turneun e Kupës së Botës në Rusi, ku theu rekordin për golashënuesin më të ri në finale që nga koha e Peles.

Pikërisht në këtë turne në Rusi, Mbappe dhe Hazardi u takuan si rivalë në gjysmëfinale. Nderin për ta përfaqësuar vendin e tyre në finale të kupës së Botës e fitoi francezi, pasi që Belgjika u mposht me rezultat 1-0.

Mbappes i kishte bërë mjaft shumë përshtypje shpejtësia dhe talenti që posedonte Hazardi, si dhe e lavdëroi atë duke thënë se ai nuk është as vetjak dhe se gjithmonë është i gatshëm t’ia pasojë topin bashkëlojtarë të tij.

“Ai është lojtari më i mirë kundër të cilit kam luajtur këtë vit dhe më ka bërë shumë përshtypje. Me Belgjikën, në gjysmëfinalet e Kupës së Botës, ai ishte mbresëlënës dhe e respektonte ndeshjen”, ka thënë Mbappe për France Football.

“Kur ai duhet ta pasojë topin sepse këtë gjë e kërkon loja, ai e bën pa asnjë pikë shqetësimi. Unë isha nganjëherë vetëm pesë metra larg tij dhe isha me të vërtetë i mahnitur nga shpejtësia me të cilin luan”.

“Topi është i ngjitur te këmbët e tij gjatë gjithë kohës, përderisa ai vazhdimisht e analizonte ndeshjen me kokën e tij lart. Nuk ka asnjë hapësirë të cilin ai nuk e sheh dot”.

© ZHURNAL 05.12.2018, 15:01 | Xh.I. | 534 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.al, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."