Maleski tregon arsyet pse Gruevski ka zgjedhur Hungarinë për strehim të tij

Shkup, 16 nëntor - Institucionet e Maqedonisë po përgatisin dokumentacionin e nevojshëm për të kërkuar ekstradimin nga Hungaria të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, ku po kërkon azil politik për t’iu shmangur vuajtjes së dënimit prej dy vjetësh burgim, edhe pse në arsyetimin e tij denoncon ‘kërcënime për jetën e tij”.

Në opinion qarkullojnë versione të ndryshme mbi arratisjen e Gruevskit, ndërsa përzgjedhjen e Hungarisë si vendstrehim nga ana e tij, e ndërlidhin me raportet e tij miqësore dhe ideologjike me kryeministrin hungarez, Viktor Orban.

Lidhjet mes tyre janë të hershme, përmes takimeve, por edhe mbështetjes së politikave të njëri - tjetrit. Por, sipas njohësve të çështjeve politike ajo që më së shumti bashkonte dy liderët ishte nacionalizmi dhe tendenca e tyre për të sunduar në çdo segment të shoqërisë përfshirë edhe mediat.

“Ashtu siç njihen mes vete njerëzit liberal, pavarësisht se nga cila pjesë e botës janë, ashtu ndodh edhe me njerëzit autoritarë, të cilët njihen mes vete duke vendosur miqësi. Kjo ka ndodhur edhe mes ish-kryeministrit Gruevski dhe kryeministrit aktual të Hungarisë, Orban. Ata kanë pikëpamje të njëjta për shumë gjëra dhe kjo duhet të jetë arsyeja se pse pikërisht Gruevski ka zgjedhur këtë vend për të kërkuar strehim”, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, Denko Maleski, ish-ministër i Punëve të Jashtme.

© ZHURNAL 16.11.2018, 11:30 | Xh.I.
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."