Bashkia e Tiranës prezanton “Guidën Studentore” me informacione për studentët e rinj
shqiperia
Bashkia e Tiranës prezanton “Guidën Studentore” me informacione për studentët e rinj

Bashkia e Tiranës prezanton “Guidën Studentore” me informacione për studentët e rinj

Tiranë, 29 tetor - Studentët që kanë ardhur në Tiranë për të ndjekur studimet e larta do të marrin edhe një broshurë mirëseardhjeje nga Bashkia e Tiranës, e cila do t’u shërbejë si një guidë për të njohur qytetin. Prezantimin e saj e bëri kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në një takim me studentët, i cili tha se kjo guidë do t’ju vijë në ndihmë studentëve të rinj që kanë nisur këtë tetor universitetin.

Veliaj i njohu banorët më të rinj të Tiranës me disa nga mundësitë e shkëlqyera që ofron kryeqyteti, jo vetëm për të kaluar kohën e lirë, por edhe për t’u angazhuar në projekte apo aktivitete vullnetare. Ai nënvizoi se Tirana sot ofron çdo ditë aktivitete të ndryshme sportive dhe kulturore, duke i dhënë mundësi gjithkujt të gjejë veten e tij. Ndaj, Veliaj ftoi studentët e rinj që të frekuentojnë Parkun e Liqenit, Amfiteatrin e rindërtuar, apo aktivitetet e tjera që organizohen në kryeqytet.

“Na duhen vullnetarë dhe kur them vullnetarë, nuk flas për llaç e tulla. Na duhen vullnetarë që mund të shërbejnë si këshilltarë, si psikologë, si punonjës socialë, që dikush që mund të ketë kaluar një situatë të vështirë në familje, të mund ta rrëfejë ose të kërkojë ndihmë. Rrjeti ynë i vullnetarëve, pavarësisht profilit tuaj, qofshi sportiv, si Maratona e Tiranës, Triathloni, qofshi të profilit artistik, si Tirana Art Fest, apo edhe të profilit social, keni mundësi pafund. Patjetër që na ndihmoni, por jam i bindur se një vullnetar ndihmon edhe veten”, theksoi Veliaj.

Mandej, ai dha një lajm të mirë, jo vetëm për studentët, por për gjithë qytetarët e Tiranës, se vitin e ardhshëm do të vijë flota e parë e autobusëve elektrikë, që do të rrisë jo vetëm cilësinë e shërbimit, por do të ofrojë transport publik pa ndotje. Po ashtu, i ftoi ata të përdorin më shumë biçikletën, duke qenë se në Tiranë korsitë e biçikletave janë kthyer në trend, sidomos pas ardhjes së Mobike. “Vitin tjetër do fillojmë me autobusët elektrikë. Është një mënyrë shumë më komode për të përdorur transportin publik, sidomos tani që po bëjmë linjat e dedikuara jo vetëm për biçikletat, por duke filluar në unazë edhe për autobusët. Nëse doni të lëvizni në Tiranë është më mirë të përdorni një biçikletë”, tha Veliaj.

Ai e cilësoi një lajm të mirë edhe vendimin për të hequr pikat e basteve nga qyteti, e për pasojë edhe nga Qyteti “Studenti”. “Kështu çunat do të kenë më shumë kohë për sport dhe më shumë para në xhep. Mezi pres të vijë 1 janari, që të lirohen edhe hapësirat e zëna me pika e biznese të tilla në Qytetin Studenti. Ato janë para që mund të shpenzoheshin shumë më mirë me sport, aktivitete, ekskursione”, u shpreh Veliaj.

Bashkia e Tiranës e ka kthyer në traditë “Guidën Studentore”, broshurën me informacione të vyera për qytetin që u shpërndahet studentëve të rinj që vijnë në Tiranë me fillimin e universitetit.

© ZHURNAL 29.10.2018, 13:04 | Xh.I. | 31 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."

 

Ribalanci i Buxhetit, mbështetje e konsiderueshme për komunat

Shkup, 29 tetor - Në Komisionin amë parlamentar për financim dhe buxhet filloi debati për ribalancin e propozuar të Buxhetit për vitin 2018 me të cilin realizohet korrigjimi minimal i anës së tij të të hyrave dhe shpenzimeve dhe sigurohet mbështetje shtesë për komunat, Fondit të SPIM, Fondit për Sigurim Shëndetësor. Deficiti mbetet i pandryshuar, ndërsa shkalla e rritjes është revidur në 2,8 për qind. 

Ribalancin e propozuar e arsyetoi ministri i Financave Dragan Tevdovski i cili tha se ndryshimet janë përgatitur duke e ndjekur situatën politike në vend sipas lëvizjeve të ekonomisë së Maqedonisë, si dhe realizimi i të hyrave dhe shpenzimeve.

“Me Ribalancin e Buxhetit të RM-së për vitin 2018 bëhet korrigjimi minimal i anës së shpenzimeve të buxhetit dhe riaftësimi i pjesëve të veçanta nga konsumi buxhetor deri në fund të vitit. Me atë rast, qëllimet e parashtruara të politikës fiskale për vitin 2018 edhe më tutje mbeten të pandryshuara, përkatësisht në tërësi dizajnohet në funksion të arritjes së qëllimeve dhe prioriteteve kyçe të shoqërisë: shkallë më të larta të rritjes së ekonomisë, rritje e punësimeve, ngritje e standardit jetësor të popullatës, arritje e nivelit më të lartë të drejtësisë sociale dhe intensifikim i proceseve integruese për në BE dhe në NATO”, tha Tevdovski.

Ai potencon se realizimi i të ardhurave buxhetore është e shkëlqyer në krahasim me vitin e kaluar dhe se kjo qon në atë se me siguri mund të thuhet se ajo që është propozim në këtë rebalans do të realizohet.

Ana e të ardhurave, potencon ministri, është plotësisht e sigurt. Sipas tij, me rëndësi është të ceket se Qeveria me këtë ribalanc siguroi rreth 50 milionë euro për mbështetje financiare për komunat në mënyrë që të servisohen një pjesë e konsiderueshme e obligimeve të tyre të pashlyera si dhe të një pjese të obligimeve të pashlyera të njësive të shfrytëzuesve, themeluar prej tyre.

“Si prioritet është problem që është i hidhur në shumë komuna, që kanë xhirollogari të bllokuara, kanë detyrime të parealizuara. Gjithashtu, në një pjesë të madhe të shkollave kanë probleme se si ta paguajnë rrymën, t’i paguajnë detyrimet që të mund të funksionojnë dhe për këtë kemi zgjidhje me të cilën nuk do ta bëjmë huazues shtetin, nuk do të marrim kredi shtesë, po me hapësirën e realizuar fiskale do të krijojmë zgjidhje me çka do t’iu ndihmojmë, por paralelisht vendosim mekanizma për planifikim të të ardhurave vetanake të buxhetit themelor të NJVL, tha ministri. Duke potencuar se ky është detyrim që duhet kryer dhe se duhet ta zgjidhin problemin që ishte prezent.

“Tani jemi plotësisht transparent dhe përmes suftuerit të veçantë filluam që t’i publikojmë detyrimet dhe do të vazhdojmë që këtë ta bëjmë edhe në të ardhmen që opinioni të ketë pasqyrë se a realizohen dhe si menaxhohen dytyrimet.

“Planifikimi joreal i buxheteve të NJVL-së, përkatësisht planifikimit tejet optimsit të të ardhurave, është një ndër shkaqet për të cilat NVL krijuan obligime të pashlyera në vitet e kaluara” , theksoi Tevdovski.

Me ribalancin, Qeveria e rishqyrtoi shkallën e rritjes prej 3,2 në 2,8 për qind. Të ardhurat e përgjithshme planifikohen në nivel prej 192,5 miliardë denarë, përderisa shpenzimet përgjithshme në 210 miliardë denarë. Deficiti mbetet i pandryshuar dhe është 2,7 për qind nga BPV.

Në debat deputetët e VMRO-DPMNE-së e vlerësuan ribalancin si joreal dhe se rritja ekonomike është e parealizueshme.

Sipas deputetit të VMRO-DPMNE-së, Dragan Cuklev vendimi për mbështetje të komunave i vendos në pozitë jo të barabartë komunat. Edhe bashkëpartiakja e tij Liljana Kuzmanovska vlerësoi se nuk është e mirë zgjidhja për mbështetje të komunave.

“Vetëm me transferimin e mjeteve zvogëlohet përgjegjësia e tyre. Nuk është e mirë mënyra e transmetimit të mjeteve pagesore të komunave në atë mënyrë si e bëni ju. Shkurtohet te komunat për përmirësimin e shërbimeve komunale, ndërsa vetëm u jepen para për mbulimin e detyrimeve”, tha Kuzmanovska.

Ajo vuri re se rritja ekonomike është më e ulët në rajon, se është përjetuar kolaps në ekonomi, se është rritur borxhi dhe se nuk mundet me manipulim të numrave të tregohet se ka rritje ekonomike.

“Buxheti nuk është vetëm ana e të hyrave. Ju jeni ministri që i krijoni politikat e ekonomisë që të mundet Maqedonia si vend udhëheqës në rajon të vazhdojë në këtë aspekt”, tha Kuzmanovska dhe shtoi se në Maqedoni nuk kemi rritje ekonomike.

“Bëtë cunami në ekonomi. E stopuat rritjen ekonomike. Nuk kemi asnjë projekt. E zvogëluat rritjen në ndërtimtari investimet kapitale dhe projektet kyçe i stopuat, i zvogëluat mjetet në gjyqësor. Aty ku duhet ty nxisni ekonominë aty e bëni bllokimin”, tha Kuzmanovska.

Debati duhet të vazhdojë pas pauzës njëorëshe të cilën e kërkoi deputeti i LSDM-së Jovan Mitrovski.

© ZHURNAL 29.10.2018, 17:00 | D.J.
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."