Dorëhiqet Fatmir Xhafaj, Rama emëron në krye të Ministrisë së Brendshme Sandër Lleshin
shqiperia
Dorëhiqet Fatmir Xhafaj, Rama emëron në krye të Ministrisë së Brendshme Sandër Lleshin

Dorëhiqet Fatmir Xhafaj, Rama emëron në krye të Ministrisë së Brendshme Sandër Lleshin

Fatmir Xhafaj ka dhënë dje dorëheqjen nga posti i ministrit të Brendshëm. Ishte kryeministri Edi Rama, ai i cili njoftoi i pari përmes rrjeteve sociale se kishte pranuar dorëheqjen e tij, ndërsa në këtë post u propozua Sandër Lleshi, këshilltari për sigurinë i kryeministrit. “Pranova dorëheqjen e ministrit Xhafaj, të cilin e falënderoj për kontributin e çmuar. Gjeneral Sandër Lleshi do të sjellë një energji të re pozitive në krye të Punëve të Brendshme. Traseja është e shtruar. Tani duhet rritur shpejtësia dhe duhen arritur rezultate edhe më domethënëse”, u shpreh shefi i qeverisë përmes një postimi në rrjetet sociale. Largimi i Xhafajt u cilësua si suprizues, pasi ai i mbijetoi sulmeve të opozitës për të vëllanë dhe u dorëhoq pa dhënë asnjë arsye. Në shkresën që ai i ka dorëzuar shefit të qeverisë, Xhafaj shprehet se dorëheqja është për arsye personale e familjare, por pa dhënë detaje se çfarë e shtyu. Po dje Xhafaj foli për mediat dhe publikoi një status në Facebook ku përshëndeti stafin dhe njerëzit pranë tij. “Pas më shumë se 1 viti në krye të Ministrisë së Brendshme, me vullnetin tim, i kam paraqitur kryeministrit Edi Rama dorëheqjen time si ministër i Brendshëm, duke e falënderuar për besimin e dhënë me emërimin në këtë detyrë të rëndësishme. Erdha në këtë detyrë për një mision të vështirë, shërbeva me pasion, me modesti dhe me devotshmëri në shërbim të shtetit, të ligjit dhe të qytetarëve. Sfidat kanë qenë tepër të mëdha, por jam krenar se në krye të një ekipi me integritet e përkushtim në Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit, kemi mundur të arrijmë suksese shumë të rëndësishme në forcimin e rendit dhe sigurisë në vend, disa prej tyre të konsideruara të pamundura për vite të tëra. Falënderoj të gjithë ekipin, kolegët, miqtë e mi dhe veçanërisht familjen time, si dhe të gjithë ata që më vlerësuan, besuan dhe më mbështetën gjatë gjithë kësaj periudhe”, tha Xhafaj në rrjetet sociale. Po ashtu ai falënderoi dhe partneret ndërkombëtarë, që sipas tij, i dhanë mbështetje.

Emrat e tjerë të rrezikuar

Largimi i Xhafajt mund të sjellë tani tërmet në polici. Tradita ka treguar se sa herë kanë ndryshuar ministrat e Brendshëm, ka pasur lëvizje shefash komisariatesh dhe drejtorësh. Madje Xhafaj largoi Haki Çakon dhe emëroi Ardi Veliun. Por gazeta ka mësuar se e rrezikuar është dhe një ministre e cila kishte mbështetjen e Xhafës. Madje ajo është bërë mjaft protagoniste ditët e fundit. Vetë gazetari Artan Hoxha ka deklaruar dje në një studio televizive se Xhafaj nuk kontrollonte më vetëm policinë. “Xhafaj kishte zgjeruar territorin. Ai kishte vënë në kontroll edhe Ministrinë e Drejtësisë, Drejtorinë e Burgjeve apo prokurorinë”, tha ai.

Ja kush është Sandër Lleshi

Kryeministri Edi Rama ka propozuar për ministër të Brendshëm Sandër Lleshin, momentalisht këshilltari i tij për sigurinë. Por kush është zoti Lleshi? Në periudhën 1996-2000, gjeneral Lleshi ka qenë komandant i Kurseve në Akademinë e Mbrojtjes në Tiranë dhe më pas, për tre vjet të tjera, ishte komandant i Akademisë Ushtarake “Skënderbej”. Në vitet 2003-2006 ka shërbyer si atashe i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë në Gjermani. Sa i takon arsimit të tij në fushën ushtarake, ai fillon në periudhën 1978-1985 kur ka kryer shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej” dhe Akademinë Ushtarake. Nga viti 1994 deri në 1999 ka kryer një sërë kursesh, si ai i gjuhës gjermane në Akademinë e Mbrojtjes Kombëtare në Vjenë (Austri); kurs i avancuar i gjuhës gjermane në Institutin Federal të Gjuhëve (Bundessprachenamt) në Gjermani; kurs i komandantit të Batalionit në Shkollën e Artilerisë Kundërajrore në Rendsburg, Gjermani; kurs i Shtabit të Përgjithshëm në Akademinë e Drejtimit në Hamburg, Gjermani dhe kurs i Sigurisë Europiane në Akademinë e Drejtimit në Hamburg, Gjermani. Në 2008-n, gjeneral Lleshi ka përfunduar Seminarin e Lartë Ekzekutiv në Qendrën për Studime të Sigurisë Europiane, George C. Marshall në Garmisch-Partenkirchen, Gjermani; Ndërsa në 2011-ën përfundoi Kursin e Lartë Ndërkombëtar për Menaxhimin e Mbrojtjes në Shkollën Pasuniversitare të Marinës në Monterey, Kalifornia, SHBA. /Sotnews

© ZHURNAL 28.10.2018, 08:50 | Z.H. | 31 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."

 

Ribalanci i Buxhetit, mbështetje e konsiderueshme për komunat

Shkup, 29 tetor - Në Komisionin amë parlamentar për financim dhe buxhet filloi debati për ribalancin e propozuar të Buxhetit për vitin 2018 me të cilin realizohet korrigjimi minimal i anës së tij të të hyrave dhe shpenzimeve dhe sigurohet mbështetje shtesë për komunat, Fondit të SPIM, Fondit për Sigurim Shëndetësor. Deficiti mbetet i pandryshuar, ndërsa shkalla e rritjes është revidur në 2,8 për qind. 

Ribalancin e propozuar e arsyetoi ministri i Financave Dragan Tevdovski i cili tha se ndryshimet janë përgatitur duke e ndjekur situatën politike në vend sipas lëvizjeve të ekonomisë së Maqedonisë, si dhe realizimi i të hyrave dhe shpenzimeve.

“Me Ribalancin e Buxhetit të RM-së për vitin 2018 bëhet korrigjimi minimal i anës së shpenzimeve të buxhetit dhe riaftësimi i pjesëve të veçanta nga konsumi buxhetor deri në fund të vitit. Me atë rast, qëllimet e parashtruara të politikës fiskale për vitin 2018 edhe më tutje mbeten të pandryshuara, përkatësisht në tërësi dizajnohet në funksion të arritjes së qëllimeve dhe prioriteteve kyçe të shoqërisë: shkallë më të larta të rritjes së ekonomisë, rritje e punësimeve, ngritje e standardit jetësor të popullatës, arritje e nivelit më të lartë të drejtësisë sociale dhe intensifikim i proceseve integruese për në BE dhe në NATO”, tha Tevdovski.

Ai potencon se realizimi i të ardhurave buxhetore është e shkëlqyer në krahasim me vitin e kaluar dhe se kjo qon në atë se me siguri mund të thuhet se ajo që është propozim në këtë rebalans do të realizohet.

Ana e të ardhurave, potencon ministri, është plotësisht e sigurt. Sipas tij, me rëndësi është të ceket se Qeveria me këtë ribalanc siguroi rreth 50 milionë euro për mbështetje financiare për komunat në mënyrë që të servisohen një pjesë e konsiderueshme e obligimeve të tyre të pashlyera si dhe të një pjese të obligimeve të pashlyera të njësive të shfrytëzuesve, themeluar prej tyre.

“Si prioritet është problem që është i hidhur në shumë komuna, që kanë xhirollogari të bllokuara, kanë detyrime të parealizuara. Gjithashtu, në një pjesë të madhe të shkollave kanë probleme se si ta paguajnë rrymën, t’i paguajnë detyrimet që të mund të funksionojnë dhe për këtë kemi zgjidhje me të cilën nuk do ta bëjmë huazues shtetin, nuk do të marrim kredi shtesë, po me hapësirën e realizuar fiskale do të krijojmë zgjidhje me çka do t’iu ndihmojmë, por paralelisht vendosim mekanizma për planifikim të të ardhurave vetanake të buxhetit themelor të NJVL, tha ministri. Duke potencuar se ky është detyrim që duhet kryer dhe se duhet ta zgjidhin problemin që ishte prezent.

“Tani jemi plotësisht transparent dhe përmes suftuerit të veçantë filluam që t’i publikojmë detyrimet dhe do të vazhdojmë që këtë ta bëjmë edhe në të ardhmen që opinioni të ketë pasqyrë se a realizohen dhe si menaxhohen dytyrimet.

“Planifikimi joreal i buxheteve të NJVL-së, përkatësisht planifikimit tejet optimsit të të ardhurave, është një ndër shkaqet për të cilat NVL krijuan obligime të pashlyera në vitet e kaluara” , theksoi Tevdovski.

Me ribalancin, Qeveria e rishqyrtoi shkallën e rritjes prej 3,2 në 2,8 për qind. Të ardhurat e përgjithshme planifikohen në nivel prej 192,5 miliardë denarë, përderisa shpenzimet përgjithshme në 210 miliardë denarë. Deficiti mbetet i pandryshuar dhe është 2,7 për qind nga BPV.

Në debat deputetët e VMRO-DPMNE-së e vlerësuan ribalancin si joreal dhe se rritja ekonomike është e parealizueshme.

Sipas deputetit të VMRO-DPMNE-së, Dragan Cuklev vendimi për mbështetje të komunave i vendos në pozitë jo të barabartë komunat. Edhe bashkëpartiakja e tij Liljana Kuzmanovska vlerësoi se nuk është e mirë zgjidhja për mbështetje të komunave.

“Vetëm me transferimin e mjeteve zvogëlohet përgjegjësia e tyre. Nuk është e mirë mënyra e transmetimit të mjeteve pagesore të komunave në atë mënyrë si e bëni ju. Shkurtohet te komunat për përmirësimin e shërbimeve komunale, ndërsa vetëm u jepen para për mbulimin e detyrimeve”, tha Kuzmanovska.

Ajo vuri re se rritja ekonomike është më e ulët në rajon, se është përjetuar kolaps në ekonomi, se është rritur borxhi dhe se nuk mundet me manipulim të numrave të tregohet se ka rritje ekonomike.

“Buxheti nuk është vetëm ana e të hyrave. Ju jeni ministri që i krijoni politikat e ekonomisë që të mundet Maqedonia si vend udhëheqës në rajon të vazhdojë në këtë aspekt”, tha Kuzmanovska dhe shtoi se në Maqedoni nuk kemi rritje ekonomike.

“Bëtë cunami në ekonomi. E stopuat rritjen ekonomike. Nuk kemi asnjë projekt. E zvogëluat rritjen në ndërtimtari investimet kapitale dhe projektet kyçe i stopuat, i zvogëluat mjetet në gjyqësor. Aty ku duhet ty nxisni ekonominë aty e bëni bllokimin”, tha Kuzmanovska.

Debati duhet të vazhdojë pas pauzës njëorëshe të cilën e kërkoi deputeti i LSDM-së Jovan Mitrovski.

© ZHURNAL 29.10.2018, 17:00 | D.J.
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."