Presidenti, është lakuriq!
opinion
Presidenti, është lakuriq!

Presidenti, është lakuriq!

Fadil Lepaja

Njëri e bënë popullin me lot, e tjetri me gaz. Sipas skenarit, krejt përfundon me një të qeshur kolektive me lot, pastaj, pas liberalizimit, populli i lumtur e lë Kosovën në duar të pronarëve, dhe do të shkojë kah të dojë vet, i qetë se vendin po e lë në duar të sigurta. Por deri aty nuk vihet menjëherë. Është proces. Loja e do, ftohtë-nxehtë, derisa të na bëhet njëjtë.

Qysh e keni pa dhe dëgjue edhe ju, humoristi i famshëm ja “profetizoi” edhe dyqind vjet jetë në presidencë, kolegut të tij në politikë. Kështu shefi shtetit edhe shefi i humorit, po i përzihen në zanat njëri tjetrit. Njëri e bënë me lot. e tjetri me gaz.

Kështu me shefin e shtetit dhe shefin e humorit, kur bëhen bashkë, situata rikthehet në normale. Të dy shakaxhi. Krejt po e shajnë presidentin e ai po ha përshesh nëpër emisionet më të shikuara. Së fundmi e promovoi edhe të parin e humorit. Pa dekret. Humori është zanat serioz.

Çka po ju pengon more, presidenti? Njeri  “tuj hangër përshesh”, si është më së miri? Për kufirin e keni? Hajgare po bën...! Kështu, të gjithë rehatohen, dhe gjendja emocionale e kombit rregullohet. E qysh do të pyesni ju? Është proces...

Fillimisht, duhet me e ndryshue kushtetutën, përshkrimin dhe përgjegjësitë e presidentit. Përgjegjësi e tij e drejtpërdrejtë, duhet të jenë hormonet kolektive, kuptohet, krejtësisht apolitike dhe jo partiake si adrenalina dhe serotinina. Pra, mbajtja e balanit emocional.

Adrenalina, nëse mund të i besohet “Wikipedias”( më poshtë lexo: “Wiki”), prodhohet në veshkë dhe ka për qëllim ....! “Rren, rren, rren”, ka me ndërhy në fjalë, presidenti i ndieshëm sa herë përmendet fjala veshkë. “ Adrenalina, nuk prodhohet në veshkë”, ka me thanë ai, me të drejtë. Ajo prodhohet në gjëndrat mbi veshkore.  Pastaj llafi ka me marrë këtë rrjedhë: “Ti po rren, e pse po rren... rren, rren, rren”. Këtë ka me përsëritë me dhjetëra herë vëllai politik  i Edit. Ishte Edi apo ky , që po kopjojnë në provim? Qysh ka thënë i moçmi, gjaku në politikë nuk bëhet ujë. Shih, nëse kryeministri i Shqipërisë, është vëllai i presidentit turk, dhe presidenti kosovar gjithashtu, atëherë i bie se edhe Edi e Hashimi, janë vëllezër. Nejse...! Kush po kopjon, këtu?

Pra, adrenalina, është një nga hormonet e stresit, po thotë “Wiki”. Përmes gjakut, ky hormon shkon deri te gati të gjitha organet ( dhe institucionet) dhe prodhon këto ndryshime : shpejton punën e zemrës, rritë fuqinë ( apo forcën?! ) e zemrës, ngushton damarët periferik të gjakut ndërkohë që zgjeron ato të zemrës, trurit dhe disa muskujve, prodhon nxehtësi, rritë koncentrimin e sheqerit në gjak, zgjeron bebëzat...edhe shumë ndryshime të tjera politike e jopolitike, të cilat në fakt e përgatisin popullin për luftë, ose për me ikë. 

Sido që të jetë, me kushtetutë duhet të jetë e përcaktuar përgjegjësia e presidentit për me e rritë adrenalinën e popullit, e pastaj qeveria mundet me u marrë me atë se a duhet me ikë apo me qëndrue, me e bë ushtrinë apo me dhanë territore. Këto pastaj mund të rregullohen edhe me ligj. Kështu, çdo iniciativë e presidentit ndikon në nivelin e adrenalinës kombëtare dhe shtetërore.

Të gjitha këto, që i thotë “Wiki”, presidenti duhet me i arrit përmes paraqitjeve publike, të dizajnuara nergut për me na mbushë stres, apo me na bë me lot. Përmes debateve në televizione nacionale, ata që përballen me presidentin duhet të jenë shumë më shumë agresiv, më të egër se ai, sa që përpara qytetarëve ai të duket si qengj i butë që thithë ... disa nëna.

Kjo duhet përsëritur përditë, sepse, adrenalina, sipas llafeve të “wikipedias” shumë shpejt bëhet inaktive, dhe populli mbetet me grushte të mbledhura.

Nejse, kushtetuta nuk duhet me u marrë veç me adrenalinën, (mbi)veshkoret,  ikjen apo qëndresën heroike. Duhet të merret edhe me Serotininën. E serotinina është hormoni i lumturisë.  Pasi të e mbushësh me stres, duhet edhe me e lumturue. Kur shkon presidenti në “debat+” apo “rubikon “ prodhon adrenalinë, e kur shkon në “Oksygen” prodhon serotininen kolektive. Cila është natyra e vërtetë e presidentit? Pas aprovimit të ndryshimeve kushtetuese, duhet të përcaktohet se me popullin mund të haj përshesh,  vetëm presidenti.

Tash, duhet me e pranue, se ata do të ishin qift perfekt edhe në politikë. Shefi i humorit, i promovuar së fundmi, falë shikueshmërisë, po thotë se nuk merret me politikë dhe në fakt e bënë popullin të mendoj seriozisht për shumë çështje nacionale më shumë se presidenti. Ndërkaq, shefi i shtetit thotë se merret me politikë, ndërkaq e bënë popullin të qeshë më shumë se i pari. 

Këto ditë patëm fatin me i pa që të dy në “oxygen”, dhe me dëgjue profecinë shpresëdhënëse  se “shefi” edhe dyqind vjet do të jetë president. Hajde, rren, hajde. As njëqind, nuk ka me ndejt. Madje as pesëdhjetë! Deri  kurë pra, po pyetet shoqëria civile, e cila ka mbet pa adrenalinë dhe opozita e cila ka mbetur pa serotininë, dhe në popull nuk po shpërndajnë më a shpresë e as gëzim? 

Sa të dojë vet! Pronarët e Kosovës nuk po gjejnë prodhues më të suksesshëm të adrenalinës dhe serotininës? Kërkush spo na bënë kështu nervoz edhe s’po na e kthen në hajgare jetën tonë publike, si ky.  A jetohet, me Albini president, për shembull? 

E serotonina prodhohet në tru dhe në traktin tretës, po thotë “Wiki”. Rren është. Politikisht, ne nuk kemi fare trakt tretës. Gjithçka shkon drejtpërdrejtë në zorrë të trashë. As tru, kolektiv, nuk kemi. Akademia gërhet apo flet në gjumë, nuk po kuptohet qartë. Univerzitetet janë  vazhdim i politikës me rroba të tjera.

“Shpifje, shpifje, shpifje”,  do të thotë Edi. “Rren, rren, rren, ti po rren”, do të e përkthej në “kosovarqe” Presidenti. 

Kur, Edi pat dalur lakuriq në plazhë, kjo mund të merrej si promovim i turizmit. Turizmi përbën kurrizin e ekonomisë shqiptare. Athua, çka po promovon presidenti?

© ZHURNAL 24.10.2018, 10:10 | D.J. | 101 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."

 

Ribalanci i Buxhetit, mbështetje e konsiderueshme për komunat

Shkup, 29 tetor - Në Komisionin amë parlamentar për financim dhe buxhet filloi debati për ribalancin e propozuar të Buxhetit për vitin 2018 me të cilin realizohet korrigjimi minimal i anës së tij të të hyrave dhe shpenzimeve dhe sigurohet mbështetje shtesë për komunat, Fondit të SPIM, Fondit për Sigurim Shëndetësor. Deficiti mbetet i pandryshuar, ndërsa shkalla e rritjes është revidur në 2,8 për qind. 

Ribalancin e propozuar e arsyetoi ministri i Financave Dragan Tevdovski i cili tha se ndryshimet janë përgatitur duke e ndjekur situatën politike në vend sipas lëvizjeve të ekonomisë së Maqedonisë, si dhe realizimi i të hyrave dhe shpenzimeve.

“Me Ribalancin e Buxhetit të RM-së për vitin 2018 bëhet korrigjimi minimal i anës së shpenzimeve të buxhetit dhe riaftësimi i pjesëve të veçanta nga konsumi buxhetor deri në fund të vitit. Me atë rast, qëllimet e parashtruara të politikës fiskale për vitin 2018 edhe më tutje mbeten të pandryshuara, përkatësisht në tërësi dizajnohet në funksion të arritjes së qëllimeve dhe prioriteteve kyçe të shoqërisë: shkallë më të larta të rritjes së ekonomisë, rritje e punësimeve, ngritje e standardit jetësor të popullatës, arritje e nivelit më të lartë të drejtësisë sociale dhe intensifikim i proceseve integruese për në BE dhe në NATO”, tha Tevdovski.

Ai potencon se realizimi i të ardhurave buxhetore është e shkëlqyer në krahasim me vitin e kaluar dhe se kjo qon në atë se me siguri mund të thuhet se ajo që është propozim në këtë rebalans do të realizohet.

Ana e të ardhurave, potencon ministri, është plotësisht e sigurt. Sipas tij, me rëndësi është të ceket se Qeveria me këtë ribalanc siguroi rreth 50 milionë euro për mbështetje financiare për komunat në mënyrë që të servisohen një pjesë e konsiderueshme e obligimeve të tyre të pashlyera si dhe të një pjese të obligimeve të pashlyera të njësive të shfrytëzuesve, themeluar prej tyre.

“Si prioritet është problem që është i hidhur në shumë komuna, që kanë xhirollogari të bllokuara, kanë detyrime të parealizuara. Gjithashtu, në një pjesë të madhe të shkollave kanë probleme se si ta paguajnë rrymën, t’i paguajnë detyrimet që të mund të funksionojnë dhe për këtë kemi zgjidhje me të cilën nuk do ta bëjmë huazues shtetin, nuk do të marrim kredi shtesë, po me hapësirën e realizuar fiskale do të krijojmë zgjidhje me çka do t’iu ndihmojmë, por paralelisht vendosim mekanizma për planifikim të të ardhurave vetanake të buxhetit themelor të NJVL, tha ministri. Duke potencuar se ky është detyrim që duhet kryer dhe se duhet ta zgjidhin problemin që ishte prezent.

“Tani jemi plotësisht transparent dhe përmes suftuerit të veçantë filluam që t’i publikojmë detyrimet dhe do të vazhdojmë që këtë ta bëjmë edhe në të ardhmen që opinioni të ketë pasqyrë se a realizohen dhe si menaxhohen dytyrimet.

“Planifikimi joreal i buxheteve të NJVL-së, përkatësisht planifikimit tejet optimsit të të ardhurave, është një ndër shkaqet për të cilat NVL krijuan obligime të pashlyera në vitet e kaluara” , theksoi Tevdovski.

Me ribalancin, Qeveria e rishqyrtoi shkallën e rritjes prej 3,2 në 2,8 për qind. Të ardhurat e përgjithshme planifikohen në nivel prej 192,5 miliardë denarë, përderisa shpenzimet përgjithshme në 210 miliardë denarë. Deficiti mbetet i pandryshuar dhe është 2,7 për qind nga BPV.

Në debat deputetët e VMRO-DPMNE-së e vlerësuan ribalancin si joreal dhe se rritja ekonomike është e parealizueshme.

Sipas deputetit të VMRO-DPMNE-së, Dragan Cuklev vendimi për mbështetje të komunave i vendos në pozitë jo të barabartë komunat. Edhe bashkëpartiakja e tij Liljana Kuzmanovska vlerësoi se nuk është e mirë zgjidhja për mbështetje të komunave.

“Vetëm me transferimin e mjeteve zvogëlohet përgjegjësia e tyre. Nuk është e mirë mënyra e transmetimit të mjeteve pagesore të komunave në atë mënyrë si e bëni ju. Shkurtohet te komunat për përmirësimin e shërbimeve komunale, ndërsa vetëm u jepen para për mbulimin e detyrimeve”, tha Kuzmanovska.

Ajo vuri re se rritja ekonomike është më e ulët në rajon, se është përjetuar kolaps në ekonomi, se është rritur borxhi dhe se nuk mundet me manipulim të numrave të tregohet se ka rritje ekonomike.

“Buxheti nuk është vetëm ana e të hyrave. Ju jeni ministri që i krijoni politikat e ekonomisë që të mundet Maqedonia si vend udhëheqës në rajon të vazhdojë në këtë aspekt”, tha Kuzmanovska dhe shtoi se në Maqedoni nuk kemi rritje ekonomike.

“Bëtë cunami në ekonomi. E stopuat rritjen ekonomike. Nuk kemi asnjë projekt. E zvogëluat rritjen në ndërtimtari investimet kapitale dhe projektet kyçe i stopuat, i zvogëluat mjetet në gjyqësor. Aty ku duhet ty nxisni ekonominë aty e bëni bllokimin”, tha Kuzmanovska.

Debati duhet të vazhdojë pas pauzës njëorëshe të cilën e kërkoi deputeti i LSDM-së Jovan Mitrovski.

© ZHURNAL 29.10.2018, 17:00 | D.J.
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."